PS - PD dakord për qarqet por jo për bashkitë, bashkëkryetaret e Komisionit të Reformës Territoriale flasin për Ora News

Socialistët dhe demokratët janë ulur në tryezen e reformës territoriale me dy objektiva të ndryshme. Opozita kërkon rritjen e numrit të bashkive me argumentin që shërbimet të jenë më afër me qytetarët, nërsa mazhoranca mendon të kundërtën, që numri i tyre duhet ulur. Ndërsa për shkrirjen e qarqeve dhe ndarjen e vendit në rajone, palët politike bien dakord.

Tirane- PD dhe PS kanë nisur punën për të analizuar efektshmërinë e reformës territoriale të 2014 dhe në rast se do të gjejnë dakordësinë të bëjën edhe ndryshimet e mundshme para vendoreve të 2023. Pavarësisht se dy bashkëkryetarët, socialistja Anila Denaj dhe demokratja Dhurata Çupi me anë të kësaj reformë synojnë përmirësimin e shërbimeve ndaj qytetarëve, në interes të partive politike qëndron edhe interesi elektoral.

Anila Denaj:Në vëmendje është përmirësimi i shërbimit për qytetarët

Dhurata Çupi: Nuk ka zonë që ti të takosh qytetarët e të mos ankohen për eficencën territorial administrative

Opozita kërkon rritjen e numrit të bashkive,  por kjo kërkesë nuk pranohet nga mazhoranca, dhe si kundërargument sjellin paaftësinë e drejtuesve vendore për të nxjerrë njësitë e tyre nga kriza finmanciare.

Dhurata Çupi:Qasja ime është për të rritur numrin e bashkive. Ke fshatra apo ish njësi që janë 4 orë larg me qendrën.

Anila Denaj: Që të shtosh më shumë të vogla financiarisht nuk është me sens. Faktet janë kokëforte dhe numri më i madh i bashkive nuk do të jetë rezultati, e kundërta po.

Për bashkitë nuk bien dakord, por mesa duket PS dhe PD ka gjetur gjuhën e përbashkët në rishikimin e funksionit të qarqeve dhe ndarjes së territorit në rajone

Dhurata Çupi: Fokusin për të riparë funksionin e qarkut e kemi pasur në programin e PD-së

Anila Denaj: Nëse do të shkojë për të konsoliduar çështjen e rajoneve mund të jetë diskutim por kërkon kohë më të gjatë

Anila Denaj thekson se Komisioni i Posaçëm ka nevojë për më shumë kohë për të arritur një produkt për zgjedhjet e ardhshme vendore, por duke mos harruar që tetori është koha maksimale që mund të marrin, 9 muaj para se të përfundojë mandati i kryebashkiakëve të zgjedhur 4 vite më parë.

Anila Denaj:Periudha deri në fund të korrikut është e pamjaftueshme. Ka një afat limit që përcaktohet nga data e zgjedhjeve e vitit tjetër.

Të martën dy bashkëkryetarët do të mbledhin sërish komisionin e reformës territoriale për të miratuar planin e punës dhe për të nisur diksutimet mbi çështjet në të cilat dakordësohen dhe në ato që gjejnë konsensusin.