EKSKLUZIVE/ Dosja e Erjon Demollit. U kap me kokainë në Gjermani. Investoi me para CASH, hotelin ia kaloi tezes së gruas
Pak ditë pas sekuestrimit të “tree hotel” në Korçë zbardhet dosja e pronarit të objektit luksoz. Sipas policisë dhe prokurorisë, 36 vjeçari Erion Demolli e ka hedhur pasurinë në emër të personave të afërt ndërkohë që dyshohet se e ka krijuar atë me fitime të aktivitetit kriminal. Në dosje thuhet se i riu është dënuar për trafik droge në Shqipëri.
Tirane- “Ora News” zbulon dosjen e Erion Demollit, 36 vjeçarit nga Korçë, të cilit policia dhe prokuroria e këtij qyteti i sekuestruan më 15 qershor 2022 hotelin “Tree Hotel” me vlerë disa milionë euro.
I riu i përfshirë në trafikun e kokainës, pasurinë luksoze ja kishte kaluar në pronësi tezes së bashkëjetueses së tij, shtetases Leonora Kalaja.
Ndërsa për ta administruar biznesin kujdesej, nëna e Erionit, Fatime Demolli dhe bashkëjetuesja 31-vjeçare Elefteria Mara.
Tezja
Në dokumentacionin e siguruar rezulton se pasuria e bllokuar, ishte blerë në 16 janar të vitit 2019 nga tezja e bashkëjetueses së Erion Demollit, me një vlerë prej 9.5 milion lekë.
Blerësja Leonora Kalaja, ka një aktivitet tregtar në Korçë të quajtur “Linja 150”, por biznesi i saj nuk e justifikon financiarisht blerjen e kësaj pasurie dhe ndërtimin e hetelit luksoz.
Kalaja i ka treguar policisë se blerjen e ka kryer me lekë CASH në dorë pasi shumën financiare e mbante në shtëpie, së bashku me motrën e saj, Florenca Mara.
Godina në momentin e blerjes, ka qënë me dy kate dhe më pas është ndërtuar pa leje dhe një kat i tretë, duke sjellë legalizmin e kësaj shtese pa leje dhe hipotekimin e komplet godinës në emër të Leonora Kalaja.
Sipas Kalasë, investimi që ajo ka kryer në të gjithë godinën, për ta kthyer atë në një hotel, ka qënë 15 milion lekë.
Pas ndërtimit të hotelit, kjo e fundit ka lidhur një kontratë hua-përdorimi me mbesën e saj, Elefteria Mara, duke “lejuar” këtë të fundit ta përdorë godinën për aktivitet financiar dhe shërbim hoteli. Kontrata ka një afat përdorimi prej 25 vitesh, dhe është falas pa asnjë përfitim financiar, informon Ora News.
Një pjesë e pasurisë që është verifikuar nga prokuroria, ka qënë dhe ajo e bashkëjetueses së Erion Demollit, Elefteria Mara, nënës së bashkëjetueses, Florenca Mara, dhe tezes së bashkëjetueses, Leonora Kalaja.
Nga Gjermania në Korçë
Në raportin e përpiluar nga Policia e Shtetit, rezulton se Erion Demolli, prej disa vitesh ka kryer trafikim të lëndëve narkotike, kryesisht kokainë.
Këtë aktivitet ai e ka nisur fillimisht në qytetin e Korçës dhe Pogradecit dhe më pas e ka transferuar në Gjermani. Ku të ardhurat e fituara, dyshohet se i ka investuar në pasuri të paluajtshme në qytetin e Korçës, duke ndërtuar hotelin luksoz “Tree Hotel”.
Sipas raportit Erion Demolli, në vitin 2009 është arrestuar në qytetin e Pogradecit, me një sasi lënde narkotike kokainë. Për këtë ngjarje në Maj 2010, fillimisht ai u deklarua i pafajshëm nga Gjykata e Pogradecit, por më pas ka qënë gjykata e Apelit Korçë, që vendosur të bëjë ndryshimin e vendimin, duke e dënuar përfundimisht Demollin, me 3 vjet e 4 muaj burgim për akuzën e “Prodhimit dhe shitjes së lëndëve narkotike”.
Në raport Policia e Shtetit, evidenton faktin se Erion Demolli, nuk ka qënë ndonjëherë në kërkim ndërkombëtar, por në vitin 2013, ai rezulton të jetë arrestuar nga policia Federale e Frankfurtit në Gjermani, informon Ora News.
Ndalimi i Demollit është bërë pikërisht në aeroportin e Frankfurtit, për veprën penale të “Trafikimit të lëndëve Narkotike” në doza jo të vogla.
Për këtë aktivitet kriminal ai është dënuar me burg dhe më pas deportuar nga Gjermani në Shqipëri.
Bashkëjetuesja me BMW 20 mije euro etj
Policia thotë se bashkëjetuesja e Erion Demollit, Elefteria Mara 31 vjeç, zotëron një apartament me vlerë 50 mijë euro dhe një automjet tip BMW me vlerë 20 mijë euro.
Dyshohet se të dyja këto pasuri, thuhet në raportin policor, janë investuar nga Erion Demolli, me qëllim për ti fshehur.
Gjithashtu ka të dhëna se ky shtetas ka blerë në zonën e Voskopojës një banesë, të cilën e përdor si lokal bashkëjetuesja e tij, Elefteria Mara.
Hetimet për këtë rast vijojnë nga ana e policisë dhe prokurorisë Korçë, ndërsa deri në këtë fazë gjyqtari Ervin Sulaj, ka vendosur vetëm sekuestrimin e godinës 3 katëshe që ushtron aktivitet tregtar “Tree Hotel”.
Shenim: *Ky është artikull ekskluziv i Ora News, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”. Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Ora News” bashkëngjitur me linkun e artikullit origjinal.

