“Alarm” në drejtësi, avokatët vijojnë protestën kundër hartës gjyqësore, bojkotojnë masat e sigurisë
Avokatët e Vlorës dhe të Shkodrës në dy mbledhje urgjente të mbajtura të shtunën kanë vendosur që të vijojnë bojkotin e seancave duke kundërshtuar propozimet për hartën e re gjyqësore. Dy Dhomat e Avokatisë, vendosën gjithashtu edhe bojkotimin e seancave të masave të sigurisë, vendim i cili çon në një kolapsim të sistemit, pasi tanimë çdo person që arrestohet do të mbrohet nga avokatët e shtetit.
Sistemi gjyqësor rrezikon të hyjë në një kolaps të ri për shkak të kundërshtisë së avokatëve për Hartën e re Gjyqësore të propozuar nga Këshilli i Lartë Gjyqësor.
Dhoma e Avokatisë në Vlorë mori këtë të shtunë vendimin jo vetëm për të vijuar bojkotin e të gjitha seancave gjyqësore, por tanimë edhe bojkotin e masave të sigurisë.
"Sot doli me vendimin unanim që: Të vazhdojë bojkoti i seancave gjyqësore dhe për javën tjetër nga data 20-24 qershor. Gjithashtu me datë 21-22 Dhoma e Avokatisë Vlorë do të bojkotojë veç seancave gjyqësore, edhe të gjitha masat e sigurimit personal."
Pak minuta pas vendimit të Vlorës, në një mbledhje urgjente të njëjtën gjë vendosi edhe Dhoma e Avokatisë e Shkodrës.
Nëse heshtja e institucioneve do të vijojë, atëherë avokatët paralajmërojnë protesta dhe grevë urie.
"Ka propozime për të mbajtur dhe grevë urie apo për ti bojkotuar të gjitha ditët edhe masat e sigurimit."
Shkrirja e 18 gjykatave dhe vendosja e vetëm një të tille në Tiranë për shkallën e dytë të gjyqësorit dhe 2 administrative në të gjithë vendin, për Dhomat e Avokatisë janë cënim i interesit publik, ndërsa duket se Dhoma e Avokatisë së Shkodrës dhe e Vlorës janë duke vepruar ndaras nga Dhoma Kombëtare e Avokatisë, e cila të prenten përfundoi bojotin e parë, por nuk doli me një vendim për zgjatjen e bojkotit.
