Betonieret zaptojnë Tiranën, policia nis vendosjen e gjobave

Prej më shumë se 6 muajsh nga vendosja e orarit për ndalimin e qarkullimit të tyre përgjatë ditës, betonieret dhe mjetet e tonazhit të rëndë vijojnë të lëvizin pa orar në shumë lagje të kryeqytetit. Kjo situatë indirekt duket se ka vendosur në pozita të kundërta bashkinë e Tiranës që e toleron këtë situatë dhe policinë e cila në tre muaj ka vendosur 839 gjoba për mjetet e rënda që lëvizin brenda qytetit në oraret e ndaluara duke shkaktuar ndotje e trafik.

Pavarësisht vendimit të Bashkisë së Tiranës për ndalimin e qarkullimit të mjeteve të tonazhit të rëndë gjatë orareve të ditës, ky rregull ka vijuar të mos respektohej nga këta të fundit duke shkaktuar problem në rrugët e kryeqytetit.

KETU LAJMET MINUTE PAS MINUTE

Një vëzhgim i kryer nga grupi i xhirimit të OraNevvs konstatoi se lëvizja e betoniereve vijon të jetë e pakontrolluar në rrugët e kryeqytetit. Më 14 qershor njëkohësisht në disa lagje të Tiranës përgjatë orarit 10:30 dhe 13:45 të mesditës trafiku që betonieret shkaktonin është evident.

Më 17 qershor është konstatuar lëvizja e këtyre mjeteve edhe në rrugë shumë të ngushta duke bllokuar totalisht mundësinë e lëvizjes së makinave të tjera dhe të qytetarëve.

Të shtunën në Kombinat është evidentuar lëvizja çdo 12 sekonda e këtyre mjeteve. (kemi xhiruar 1 minutë pa ndërpreje dhe kanë kaluar 5 kamionë në 1 minutë)

Drejtuesit e mjeteve të cilët ndeshen çdo ditë në trafik shprehen të shqetësuar për këtë situatë.

Përveç zhurmës dhe ndotjes që shkaktojnë kalimi  i mjeteve të rënda në këto rrugë i ka dëmtuar ato duke shkaktuar gropa të shumta.

Policia thotë se ka marë 839 masa administrative prej 7 marsit të këtij viti deri më datë 17 qershor për lëvizjen e kategorive të ndryshme të mjeteve të rënda brenda qytetit të Tiranës mes orëve 07:00 të mëngjesit dhe 22:00 të mbrëmjes.