Noka: Djali i Çuçit pjesë e trafikut të ilaçeve, Rama po e mbron siç mbrojti Sajmir Tahirin dhe Fatmir Xhafën
Partia demokratike kërkoi dorëheqjen e ministrit të brendshëm Bledi Çuçi pas hetimeve të autoriteteve italiane që sipas Flamur Nokës, kanë nxjerrë të implikuar djalin e zyrtarit të lartë në kontrabandë ilaçesh.
"Ministri i Brendshëm Bledi Çuçi vazhdon të qëndrojë në detyrë pavarësisht se djali i tij është faktuar si i përfshirë në trafikun e ilaçeve nga Italia në kulmin e pandemisë Covid-19," tha ai.
Duke akuzuar kreun e ministrisë së brendshme për heshtje lidhur me këtë skandal, Noka kritikoi kryeministrin se po merr në mbrojtje Bledi Çuçi njësoj siç bëri me Saimir Tahirin pasi prokuroria filloi hetimet ndaj tij dhe Fatmir Xhafën pas akuzave ndaj vëllait të tij në Itali.
"Akoma më keq, Edi Rama siç mbrojti Sajmir Tahirin të përfshirë në trafik droge, Fatmir Xhafën për të vëllanë trafikant droge e shumë deputetë, kryebashkiakë e trafikantë të tjerë shkelës të ligjit, ashtu po vazhdon të mbrojë duke bërë gjithcka për të mbajtur të fshehur skandalin e përfshirjes së djalit të Bledi Çuçi në një aferë kriminale të faktuar në Itali dhe të mbajë përsëri Bledi Cucin edhe pasi i biri u faktua në një skemë kriminale trafiku," tha ai.
Një ditë më parë, nëna e Endi Çuçit, Zhaklina Peto, iu përgjigj akuzave të Sali Berishës duke thënë se për djalin e saj Endi Çuçi nuk ka asnjë akuzë në Itali.
“Unë dhe as djali im nuk kemi probleme me drejtësinë italiane pavarësisht përmendjes në mënyrë rastësore në një hetim që s’ka të bëjë fare me ne. Kjo është e cilësuar fare qartë edhe në fashikullin e hetimit të cilin e keni bashkëlidhur dhe po e citoj:
...“Në shqyrtimin e fakteve që lidhet me paragrafin në fjalë, bëjmë me dije që në fillim se elementet që kemi në dispozicion na ndalojnë, aktualisht, që të përcaktojmë ndonjë veprim me rendësi penale, në ngarkim të disa prej personave të përmendur (Sotiri Romeo, Peto Zhaklina, Xhabafti Sokol dhe Çuçi Endi), duke qenë se nga aktet e hetimit nuk figuron asnjë element që t’i lërë vend ngritjes së akuzave në të ardhmen”..., ka theksuar mes të tjerash zhaklina peto në reeagimin e saj.