Korçë/ Dëshmia e vajzës zbardhi vrasjen e të riut në Maliq. Kërcënimet në telefon deri tek mbytja me litar dhe hedhja në rezervuar
Një shenjë e konstatuar në qafën e Martin Çeços, i cili u gjend i pajetë më 16 qershor 2022 në ujërat e rezervuarit të Kolanecit në Maliq, ka ngritur dyshimet e grupit të hetimit se në këtë ngjarje nuk kishin të bënin me një vetëvrasje por me një vrasje.
Për të krijuar bindjen se Martin Çeço, ishte mbytur në rezervuar autorët janë kujdesur të lenë dhe shapkat e tij, buzë ujit të rezervuarit.
Por shenja në qafë, ishte karakteristikë e rasteve të mbytjes me litar ose tel, dhe për pasojë policia kriminale ka filluar të punojë në pistën e një vrasje të mundshme.
“Ora News” mëson se ka qënë një vajzë e cila rezulton që kishte lidhje me viktimën, që ka orientuar policinë në autorët e krimit dhe pistën e vrasjes së Martin Çeços.
Vajza është pyetur gjatë nga një prokuror i Korçës dhe zv/drejtori i Qarkut, Ermal Muça, ku ajo tregoi konfliktin që viktima kishte me njërin nga personat e arrestuar tashmë.
Vajza ka treguar se kishte ndërprerë një marëdhënie dashurie me Bleti Angjon, dhe më pas ishte lidhur me 26-vjeçarin Martin Çeço. Por kjo situatë nuk i ka pëlqyer, Bleti Angjo, i cili ka filluar të kërcënojnë vajzën dhe më pas të dashurin e saj të ri, Martinin.
Ky i fundit ka shkëmbyer fjalë në telefon, duke i pohuar se tashmë vajza i përket atij, duke e paralajmëruar që të mos e shqetësonte. Por kjo situatë, është përshkallëzuar duke nisur një konflikt mes djemve.
Ata e kanë lënë të takohen diku tjetër dhe që pas këtij takimi, që sipas policisë ishte bërë më 12 qershor 2022 - familjarët kanë humbur gjurmët, deri dy ditë më parë, (16 qershor 2022) kur ai u gjend i pajetë në rezervuarin e Kolanecit në Maliq.
Dëshmia e vajzës mendohet se çoi në arrestimin e Edlir dhe Valter Mollaj dhe personit tjetër Bleti Angjo, i arrestuar dhe dënuar më parë për vjedhje.
26 vjeçari është mbytur me litar dhe më pas trupi i pajetë është hedhur në liqenin e Kolanecit, duke krijuar bindjen se i riu ishte mbytur vetë.
Por shenja në qafë e shkaktuar nga shtrëngimi i litarit, rrëzoi skemën e tre personave duke sjellë më pas dhe zbulimin e të vërtetës e arrestimin e tyre sot (18 qershor 2022)
Bleti Angjo dhe Valter dhe Edlir Molla, akuzohen për veprën penale të “Vrasjes me paramendim” kryer në bashkëpunim.

