Rahim Spahiu kandidati PS në Dibër për zgjedhjet e 2023, Rama lë porosi: Mos nisni hidhjet e pritjet prapa krahëve se na mori lumi

Përveç zgjedhjeve për drejtuesit e Partisë Socialiste në 61 bashkitë, mazhoranca ka nisur punën për zgjedhjet vendore të vitit të ardhshëm. Në Dibër, kryesocialisti Edi Rama nuk do të bëjë ndryshime, pasi do të rikonfirmojë fituesin socialist të 6 marsit në këtë bashki.

Edhe pse zgjedhjeve vendore të 2023 nuk janë dekretuar ende nga Presidenti i Republikës, Partia Socialiste ka nisur punën me strukturat e saj për përzgjedhjen e kandidaturave me të cilët do të përballet vitin e ardhshëm me opozitën.

Më të lehtë e ka patur Rahim Spahiu, i cili fitoi bashkinë e Dibrës me 6 mars të këtij vitit, pasi i kanë mjaftuar 4 muaj që të fitojë besimin e shefit të tij për ta rikandiduar në lokalet e pranverës së ardhshme.

Rikonfimimin ai e mori nga vetë kryesocialisti Edi Rama gjatë takimit të tij me strukturat e partisë në Dibër.

“Jam i bindur që jo vetëm në zgjedhjet e ardhshme vendore ku ne patjetër duhet të rikonfirmojmë kryetarin e bashkisë të cilin e e keni pritur shumë mirë dhe Dibra ka votuar masivisht dhe sot që flasim Dibra flet vetëm fjalë të mira. Kjo duhet parë , por mos e marrshin mësysh kryetarin e bashkisë e mos nisshin hedhjet e pritjet e dibranëve prapa krahëve se na mori lumi."

Edhe me pse është i kënaqur me kryetarin e bashkisë, Edi Rama ka rezerva për punën e socialistëve në qarkun e Dibrës.

Për zgjedhjet parlamentare të 2025 shefi i mazhorancës ju la për detyrë numrin e mandateve që duhet të marrin dhe se si duhet të punojnë që të marrin atë rezultat.

“Përveç se të rikonfirmojmë kryetarin e bashkisë në zgjedhjet e ardhshme vendore se realisht është një drejtues që do të bëjë shumë punë dhe do ta mbështesim shumë por do të rimarrim 3 mandatet që na takojnë në zgjedhjet e ardhshme të përgjithshme”.

Përveç vendoreve dhe parlamentareve të ardhshme, socialistët kanë hyrë në garë me njëri-tjetrin për të marrë drejtimin e partisë në 61 bashkitë.

Në Dibër 8 kandidatë kanë prezantuar platformën e tyre për të fituar besimin e kryetarit të PS-së që të drejtojnë këtë forcë politike në bashkinë e tyre.