Turistët zgjedhin Vlorën, të befasuar nga çmimet dhe mrekullia e qytetit
Me dhjetëra turistë të huaj kanë zgjedhur këtë fundjavë të pushojnë në Vlorë.
Turistët që kanë ardhur nga Maqedonia e Veriut, Ukraina, Italia dhe Bjellorusia, janë të shumtë në numër.
Ata janë mahnitur nga klima bregdetare e qytetit, mirëkpritja e njerëzve, shërbimi, por edhe çmimet që iu duken të përballueshme.
"Në Vlorë është hera e parë. Nuk e dija që ishte aq bukur, është shumë relaksuese. Jam e sigurtë që do të kaloj pushime të bukura. Njerëzit janë shumë të sjellshëm. Shërbimet marrin notën 10 janë perfekt, çmimet janë shumë të mira nuk janë të shtrenjta."
Ka të tjerë që shpresojnë të kthehen edhe sezonin tjetër.
"Jam nga polonia dhe është hera ime e parë këtu në Vlorë por dhe në Shqipëri. Është vend i këndshëm për pushime familiare. Njerëz të këndshëm, mikëpritës dhe ushqim i mirë, ndoshta do të kthehem sërisht në Vlorë."
Ka nga ata që e shohin qytetin edhe si mundësi për të punuar.
"Ne jemi nga Shkupi i Maqedonisë. Është hera e dytë që vijmë në Shqipëri por për këtë verë është e para. Është vend i bukur. Ajo çfarë na pëlqen më shumë këtu është pastërtia dhe njerëzit sepse janë shumë të sjellshëm dhe turizmi është perfekt. Do të kthehem sërisht në Shqipëri sepse jam fizioterapist dhe do të punoj këtu në Shqipëri me masazhet gjatë verës këtu në Vlorë."
Të dhënat nga operatorët turistikë bëjnë me dije se në qytet përgjatë kësaj fundjave janë rezervuar në total 60 % e dhomave në njësitë hoteliere. Duke u krahasuar me një vit më parë në këtë periudhë ka patur një rritje prej 20 %.

