Kokaina në Durrës nga Brazili, dëshmia e administratorit kosovar dhe doganierit nga Tirana

Dy të arrestuarit për sasinë prej 45.5 kg kokainë që u gjet në kontenierin me mish pule në portin e Durrësit kanë mohuar akuzat.

Ngarkesa me drogë e paketuar në 40 pako u gjet gjatë kontrollit të detajuar në një kontenier të ngarkuar me mish pule, që ishte nisur tranzit nga Brazili, për llogari të një subjekti tregtar në Maqedoninë e Veriut.

Arben Ferizi, 30 vjeç, banues në Prishtinë, me detyrë administrator në kompaninë që kishte porositur ngarkesën e mishit të pulës në Brazil ka thënë për  policinë: Kompania ime ka vite që merret me prodhimin e salçiçeve dhe është e suksesshme dhe nuk ka nevojë të implikohet në trafikimin e drogës.

Ne si kompani nuk kemi asnjë lidhje dhe nuk kemi dijeni për praninë e lëndës narkotike në kontenier. Të gjitha veprimet kryhen online, porosia dhe blerja e mishit. Nuk është kompetencë e jona se çfarë gjendet ne kontenjer përtej asaj çka ne kemi porositur”.

Ndërkohë Egert Vargu me detyrë agjent doganor i kontraktuar nga kjo kompani ka thënë: Nuk kam dijeni, apo lidhje me drogën. Puna ime është të bëjë procedura zhdoganimi dhe nuk merrem me kontrollin e kontenierëve. Nuk është ne kompentencën time”