Atentati në Sauk: Autorët përdorën telekomandë në distancë, zbardhet itinerari i Aleksandër Sadikajt

Shpërthimi në makinën ku udhëtonte 27-vjeçari Aleksandër Sadikaj është aktivizuar me telekomandë në distancë dhe jo me telefon celular.

Kështu sugjerojnë provat e gjetura në vendin e ngjarjes nga grupi i hetimit dhe ka dyshime se autorët e kanë vëzhguar viktimën deri në momentin e atentatit në Sauk.

Nga ana tjetër, dyshohet se shmangia e përdorimit të aparateve celularë është bërë për të shmangur zbardhjen e ngjarjes, 11 qershor 2022.

Nga verifikimet e kryera dhe këqyrja e kamerave të sigurisë, është bërë i mundur zbardhja e itinerarit të viktimës ditën e ngjarjes.

Të premten ai ka qëndruar në lokalin që administronte në rrugën “Irfan Tomini” deri pas mesnate, më pas ai është larguar drejt banesës në zonën e Saukut.

Shtëpia e tij është kontrolluar nga policia dhe aty janë gjetur jelek anti-plumb, municion luftarak dhe një sasi lëndësh narkotike.

Ndërkohë që familjarët nuk kanë deklaruar shumë mbi aktivitetin e Sadikajt në dëshminë e tyre në polici.

Makina me të cilën ai lëvizte ishte në emër të një tjetër personi, bëhet me dije se ai e kishte blerë para 5 muajsh, por nuk e kishte kaluar në pronësi të tij.

Ndërkohë, sa i përket armës së gjetur, policia po përpiqet që ta analizojë sepse ajo ka pësuar dëmtime të shumta.

Ndërkaq, pista kryesore e hetimit lidhet me atentatin e tij, brenda dhe jashtë vendit, pasi në Greqia dyshohet se ka kryer një vrasje, ndërsa në Shqipëri një sherr me thika.