Rrugorja e Tiranës kap 3 persona që drejtonin makinën nën efektin e drogës, vendosen 878 gjoba
Policia Rrugore e Tiranës ka arrestuar dhe ka proceduar penalisht 53 persona, për kryerjen e shkeljeve të ndryshme të qarkullimit rrugor.
Gjatë fundjavës, si rezultat i kontrolleve të dedikuara, u evidentuan dhe u goditën edhe 3 raste të drejtimit të automjetit, nën efektin e lëndëve narkotike.
Kështu, ka shkuar në 24 numri e drejtuesve të mjeteve që kanë rezultuar nën efektin e drogave, pas testimit me aparatin AquilaScan.
Po ashtu, janë ndëshkuar me masë administrative 878 drejtues mjetesh, për përdorim të celularit gjatë drejtimit të mjetit. 446 drejtues mjetesh janë ndëshkuar për mos vendosje të rripit të sigurimit.
Për parakalime të gabuara, manovra të rrezikshme në rrugë, shpejtësi mbi normën e lejuar dhe shkelje të tjera të ndryshme, janë ndëshkuar 1388 drejtues mjetesh.
Janë pezulluar 69 leje drejtimi, për drejtim mjeti nën efektin e alkoolit apo në gjendje të dehur, si dhe për shpejtësi tej normave të lejuara.
Janë vendosur 577 masa administrative, për mos vendosje të kaskës mbrojtëse nga drejtuesit e motomjeteve.
Janë hequr 5 palë targa të çregjistruara apo që u kishte përfunduar afati i përdorimit në shtetin e origjinës.
