Harta e re gjyqësore, Berisha: Shkelje e të drejtave të njeriut, qytetarët nuk kanë më qasje në drejtësi

Në një dalje për mediet, kreu i PD-së, Sali Berisha u shpreh se harta e re gjyqësore është një mohim i aksesit në sistemin e drejtësisë së shqiptarëve.

Ai tha se janë mbyllur 18 gjykata në shkallë vendi dhe se kjo bën që shumë qytetarë duhet të bëjnë qindra kilometra për të pasur qasje në gjykatë.

Berisha shtoi se kjo rrit shpenzime te tyre dhe theksoi se një vendim i tillë përbën një shkelje të rëndë të të drejtave.  

Berisha: Pseudo reforma në drejtësi dhe Vettingu i gjahut të shtrigave, ka përgjysmuar prokurorët dhe gjykatës, dhe është vendosur nën kontroll të ekzekutivit. Është mohuar de fakto për një proces gjyqësor i shqiptarëve. Edi Rama ka urdhër me një akt politik, që KLGJ-ja e partisë të mbyllë 18 gjykata në shkallë vendi. Kështu me hartën e Ramës, mbyllen 9 gjykata të shkallës së parë në 9 qytete duke u mohuar akses për qytetarët.

Mbyllen 4 gjykata administrative. Mbyllen 5 gjykata të apelit dhe mbetet vetëm apeli i Tiranës, praktikë totalisht e dështuar kjo sepse është provuar në vitin 1999. Me këtë vendim gjobiten dhe ndëshkohen banorët e shumë qyteteve që duhet të bëjnë qindra kilometra për të gjykata. Po ashtu, ndëshkohen qytetarët e të gjitha qyteteve që duhet të vijnë në Tiranë. Këtyre njerëzve u mohohet de fakte aksesi në sistemin e drejtësie. Kjo është një shkelje e rëndë e të drejtave të njeriut.