"Të vetët i bënë qen e mace cirku por Vjosën e duan të egër" Rama merr "hak" ndaj ndërkombëtarëve që ngritën zërin të mbrojnë lumin

Pas disa vitesh protestë qeveria vendos të reagojë duke shpallur Vjosën "Park Kombëtar" duke sanksionuar kufizimin e ndërtimeve përfshi dhe HEC. Madje për të treguar se është për mbrojtjen e natyrës u zhvillua një ceremoni e posaçme por pa dhënë sqarime përse kjo çështje u la kaq shumë vite. 

Gjatë ceremonisë së firmosjes së Memorandumit të Mirëkuptimit mes Ministrisë së Turizmit dhe Mjedisit dhe Organizatës mjedisore amerikane "Patagonia" Rama shfrytëzoi fjalën për tu hakmarrë edhe ndaj ndërkombëtarëve të cilët ngritën zërin të mbronin Vjosën ndërsa siç u kujtoi ai lumenjtë e tyre i kishin zbutur. 

Edi Rama:Vjosa kalon mes për mes trupit të Shqipërisë, hyn nga njëra anë dhe del nga ana tjetër dhe të thuash Park Kombëtar është një fjalë goje ndërkohë që në këtë gjatësi shtrihen qytete e fshatra të tërë dhe një popullsi e tërë, e cila ka nevojë për një horizont zhvillimi ekonomik dhe social, se kur na thonë që ky është lumi i fundit i egër në Europë, bëjnë sikur harrojnë që lumenjtë të tjerë të egër i kanë zbutur për veten e tyre kurse këtu e duan të egër.

Ne nuk jemi kundra sepse përderisa po e bëjmë, po e bëjmë me bindjen e plotë që kjo është e ardhmja, por këta që e duan Vjosën të egër, duhet të kenë parasysh që ne nuk mund të ndërtojmë një rezervat ku edhe njerëzit t’i egërsojmë për t’ia përshtatur kënaqësisë së tyre për një lumë të egër diku në Europë, por të ndërtojmë një hapësirë për një zhvillim që mbron mjedisin dhe njëkohësisht ushqen shëndetshëm gjeneratat që do t’ia lënë Vjosën trashëgim njëra pas tjetrës në një rrugë të re dhe deri më sot të pashkelur në Europë.

Siç e thashë, Vjosa është egërsira e fundit lumore që nuk do hyjë në cirkun e kafshëve të zbutura të sistemit elektro-energjetik të Europës. Të gjithë lumenjtë e tjerë janë bë si qentë dhe macet e cirkut që prodhojnë energji ndërsa Vjosa do prodhojë ardhmëri në një formë tjetër. Kjo, dua ta them sot sepse sot është dita për të marrë pak hak, është një histori që ka pasur edhe një aspekt të lidhur me pavërtetësinë dhe me hipokrizinë pasi ne e vendosëm Vjosën në mbrojtje dhe ky është fakt, është i shkruar.'

Rama shkoi më tej duke i quajtur protestuesit por dhe organizatën globale "Patagoni" zhurmaxhinj
"Organizatës globale “Patagonia” i detyrohem një falenderim për faktin se ishte bashkë me të gjithë zhurmaxhinjtë e tjerë në këtë proces, por ndryshe nga zhurmaxhinjtë e tjerë, e priti me shumë kënaqësi ftesën tonë për, për të përveshur edhe mëngët, përveçse për të nxjerrë zhurmën.

Ekspertiza nderkomnbetare

Me qëllim që të gjitha procedurat e shpalljes së Vjosës “Park Kombëtar” të jetë me standardet më të larta kemi marrë ekspertizë ndërkombëtare, tha Rama

Prandaj sot u nënshkrua Memorandumi i Mirëkuptimit mes Ministrisë së Turizmit dhe Mjedisit dhe Organizatës mjedisore amerikane Patagonia për shpalljen e Vjosës “Park Kombëtar” për një lumë të egër në Europë.

Memorandumi u firmos nga Ministrja e Turizimit dhe Mjedisit Mirela Kumbaro, CEO i Patagonia Ryan Gellert, me praninë edhe të organizatave që bëjnë pjesë në koalicionin europian “Save the Blue Heart of Europe" si Riverëatch, EuroNatur, EcoAlbania, ekspertë mjedisorë, përfaqësues tëtrupit diplomatik, donatorë, etj.

"Ftoj ministren e Turizmit dhe mikun tonë tanimë, të provuar se kemi mik me provë tani, se kur u shfaq në fillim ishte si këta UFO-t që vijën për të shpëtuar lumin e fundit të egër, por tani është këtu, është mik i provuar, që ka vendosur të bëhet bashkëluftëtar për ta mbrojtur Vjosën nga armiku, që të firmosin marrëveshjen, memorandumin e mirëkuptimit dhe pastaj të vazhdojmë më shpalljen e Vjosës Park Kombëtar" tha Rama

Grupi i  punes

Në Memorandumin e Mirëkuptimit palët angazhohen për të punuar së bashku në rritjen e shkallës së mbrojtjes së lumit Vjosa në kategorinë e dytë, "Park Kombëtar", duke përfshirë edhe degëzimet.

Brenda 45 ditësh nga nënshkrimi i këtij Memorandumi, do të ngrihet grupi i punës, nën drejtimin e Ministrisë së Turizmit dhe Mjedisit të Shqipërisë. Detyra e këtij grupi pune është të hartojë një propozim të plotë dhe profesional për statusin e Parkut Kombëtar, përmes zonimit dhe përcaktimit të kufijve të Parkut Kombëtar, konsultimin me palët e interesit dhe shqyrtimin e mundësive të zhvillimit të ekoturizmit.

Vjosa konsiderohet si lumi i fundit i egër në Europë, me një gjatësi 272 kilometra që shërben si habitat i mbi 1,100 specieve, ndër të cilat 13 janë gjallesa në rrezik zhdukje në rang global. Me vendimet e qeverisë shqiptare në muajin janar 2022, sipërfaqja e zonave të mbrojtura u rrit në 21% të territorit të vendit.