Pezullohen nga detyra zyrtari i FSHZH e 2 nga Kadastra, në hetim për falsifikim dokumentesh
Ish zyrtari i Fondit Shqiptar të Zhvillimit dhe dy punonjës të Agjencisë Shtetërore të Kadastrës janë pezulluar nga detyra, pasi po hetohen nga Prokuroria e Tiranës për falsifikim dokumentash dhe shpërdorim detyre.
Hetimi ka nisur pas kallëzimit të një shtetasi ndërkohë që prokurori Bledar Valikaj kërkoi në gjykatë pezullimin nga detyra të personave në hetim, kërkesë që u pranua më 10 Qershor 2022 nga gjyqtari i Gjykatës së Tiranës, Kujtim Vranicki.
Ora News mëson se personat në hetim të cilët janë pezulluar nga detyra dhe është marrë masa detyrim paraqitje janë Lediana Bardhi, Rajmonda Dashi, Thanas Leka dhe Dario Vasili.
Sipas prokurorisë shkak për nisjen e hetimit është bërë kallzimi në prokurori i qytetarit Përparim Braçe i cili ka akuzuar se shtetasit, Luan Leka dhe Lediana Bardhi në bashkëpunim me njëri - tjetrin kanë përfaqësuar pasurinë e kallzuesit përmes paraqitjes së fakteve të rreme dhe duke falsifikuar dokumentat.
Kallzuesi sipas prokurorisë ka blerë me fondet e veta në vitin 1991 sipërfaqe toke por personat e mësipërm në bashkëpunim dhe me njëri tjetrin dhe me persona të tjerë kanë arritur ta përvetësojnë duke përdorur dokumenta të falsifikuar.
Lediana Bardhi ka qenë ish kryeregjistruese në Hipotekën e Tiranës dhe është kallzuar më parë dhe nga KLSH.
Rajmonda Dashi ka qenë drejtoreshë e Hipotekës në Durrës dhe ka dhënë dorëheqjen pas kërkesës së drejtorit Artan Lame.Thanas Leka punon si drejtor në Agjencinë Shtëtërore të Kadastrës në Qendër.