Përplasi policët me makinë/ "I forti i Durrësit" del para gjykatës: Më vjen keq që ndodhi, doja ti bie shkurt
Gjykata mbajti në burg Hysen Picin, një prej të ashtuquajturit i forti i Durrësit që përplasi me makinë efektivët e policisë së Shtetit. Para togave te zeza, Ai shfaqi pendesë, ndërsa deklaroi se tentoi ti shpëtojë prangave për shkak të armës në makinë.
“Sjellje në kushtet e panikut të arrestimit me armë pa leje, por pa qëllim për të dëmtuar efektivët e policisë së Shtetit”
Kështu është justifikuar në Gjykatë, Hysen Pici, një prej të ashtuquajturve të fortët e Durrësit që përplasi dy efektivë të policisë.
Ngjarja u shënua mbrëmjen e së enjtes, 9 qershor 2022 në lagjen numër 1 kur ai po udhëtonte kundravajtje me makinën e tij luksoze.
Ai nuk iu bind thirrjes për të ndaluar të efektivëve të rrugores duke lënë një polic të plagosur rëndë.
Më pas tentoi të largohet me vrap, por u kap dhe u vu në pranga.
Para togave te zeza, Hysen Pici shfaqi pendesë dhe u kërkoi falje policëve.
Theksoi se tentoi t'i shpëtonte arrestimit me armë pa leje, ndërsa mohoi raportimet se bashkë me të udhëtonte edhe një tjetër person.
"Në atë kohë në rrugë nuk kishte mjete dhe mendova t’i bie shkurt. Kur më dolën policët para më kapi paniku dhe shkela gazin të kapërceja situatën. Desha të mos më kapnin për shkak të pistoletës. Në makinë isha vetëm. Më vjen keq për policin e dëmtuar"
Sipas të dhënave, Hysen Pici rezultoi se kishte konsumuar alkool mbrëmjen kur përplasi efektivët e policisë, ndërsa priten analizat substance narkotike.
Gjykata e Durrësit e vendosi sot (13 qershor 2022) ta mbajë në qeli me akuzat armëmbajtje pa leje , kundërshtim i punonjësit të policisë dhe drejtim i parregullt i mjetit.
