Plumb në kokë majë Gramozit, 29-vjeçari Sherif Mukaj u vra. Hetohet trafiku i drogës me Greqinë
Përfshirja në një rrjet të trafikut të drogës me Greqinë është pista kryesore e hetimit të vrasjes së 29-vjeçarit Sherif Mukaj, trupi i të cilit u gjet i dekompozuar në Malin e Gramozit 8 Muaj pasi u denoncua i zhdukur.
Me plumb në kokë në majë të malit të Gramozit.
29-vjeçari Sherif Mukaj, nga fshati Starje i Kolonjës, i denoncuar i zhdukur më 10 Nëntor 2021, dyshohet se është vrarë.
Trupi i të riut u gjet i dekompozuar në një zonë të thellë të Kreshovës pranë kufirit me Greqinë .
Në pjesën e kafkës është konstatuar një vrimë tejshpuese që dyshohet të jetë shkaktuar nga armë zjarri.
Por ekspertët nuk gjetën asnjë gëzhojë apo predhë arme zjarri.
Kjo ngre dyshime se i riu mund të jetë ekzekutuar në vend tjetër dhe më pas trupi u hodh në vendin ku u gjet më 11 qershor.
Çelësat dhe celulari model i vjetër që i kishin mbetur ne xhep të xhupit ndihmuan grupin hetimor ta identifikojnë.
“Nuk i la policia për ta parë. Policia solli çelësat dhe u hapën dyert e shtëpisë. I kanë gjetur një verore dhe një rrip të zi me shkronjën “E” dhe një celular. Nuk ka pasur konflikt me askënd dhe ka qenë njeri pa probleme dhe shumë punëtor.”
Hetimet për vrasjen e 29-vjeçarit janë shtrirë në disa pista.
Kryesorja është ajo e përfshirjes së dyshuar në një grup të trafikut ndërkombëtar të lëndëve narkotike drejt Greqisë.
Por të afërmit në fshatin Starje thonë se ai nuk kishte nevojë të merrej me drogë, pasi prindërit i dërgonin para nga Amerika ku jetojnë.
“Familjen e kishte në Amerikën dhe nuk kishte nevojë për gjë. I dërgonin edhe lekë nga Amerika.”
Pas zhdukjes së 29-vjeçarit prokuroria e Korçës mësohet se ka nisur një hetim për të zbuluar rrjetin e trafikut të drogës ku ai dyshohet se bënte pjesë.
