Liverpool-Nunez, transferimi është zyrtar. Uruguajani thyen rekordin e lojtarit më të shtrenjtë
Është zyrtare, Liverpool transferon në “Anfield Road” për 75 milionë euro sulmuesin uruguajan të Benfica-s, Darvin Nunez. 22-vjeçari bëhet kështu lojtari më i shtrenjtë në historinë e “The Reds” duke parakaluar edhe mbrojtësin Virgil Van Dijk.
Lajmin e arritjes së marrëveshjes e bën të ditur klubi luzitan nëpërmjet një deklarate zyrtare që thekson se në bazë të bonuseve të përcaktuara në kontratë, vlera e shitjes së sulmuesit mund të shkojë deri në 100 milionë.

Tashmë, Nunez do të nënshkruajë kontratën personale me “The Reds” nga e cila do të përfitojë rreth 6 milionë pound për gjashtë sezonet e ardhshme.
Liverpool do ta paguajë këstin e parë menjëherë, ndërsa bonuset lidhen me ndeshjet zyrtare që do të luajë lojtari dhe pjesa tjetër me sukseset që do të arrijë skuadra e Jurgen Klopp.
Me blerjen e Nunez i hapet rruga largimit të Sadio Mane që kërkon transferimin te Bayerni i Mynihut.
