Elseid Hysaj pranon gabimet e bëra kundër Izraelit
Skuadra është e qetë dhe duhet të mendojë për miqësoren me Slloveninë. Kapiteni Elseid Hysaj e pranon që skuadra gaboi shumë në sfidën vendimtare me ekipin nga Lindja e Mesme dhe shtoi se personalisht ndihet keq për atë dështim.
“Trajneri ka të drejtë, sepse duke rishikuar ndeshjen, kemi bërë edhe gabime taktike dhe kjo nuk duhet përsëritur sepse jemi lojtarë që luajmë në kampionate të mëdha, jemi profesionistë dhe duhet të kemi më shumë personalitet në fushë dhe ta dimë ku mund të ketë rrezik dhe ku mund të mos ketë. Ne ishim përgatitur që do kishim kundërsulme Izraeli, por ja që ndodhi përsëri dhe nuk ndihem shumë mirë. Ishte një ndeshje që e kishim ne në dorë dhe e humbëm për disa gabime taktike, nisur nga unë dhe gjithë skuadra. Uroj të përqëndrohemi dhe të jemi gati për ndeshjen tjetër.
Duhet të jem gati për çdo ndeshje, për çdo moment që do trajneri që ne të jemi lojë. Jemi të qetë. Ka edhe disa prurje të reja në skuadër, që Reja do t’i provojë në këtë ndeshje dhe besoj se është gjë e mirë, pasi duhet të shohim edhe disa çuna të rinj që po stërviten dhe po ecin mirë”.