Arrestimi i Kajmakut, Vasili: Rama është ideatori dhe projektuesi i futjes së mafies në politikë
Ish-kryebashkiaku socialist i Vorës Agim Kajmaku është arrestuar nga policia italiane, pasi është kapur me 20 kilogramë lëndë narkotike e llojit kokainë, e cila nëse do të hidhej në treg do të kapte vlerën e 1 milionë eurove.
Nënkryetari I LSI-së, Petrit Vasili, është shprehur se arrestimi i Kajmakut, përkon me përvjetorin e 31 që ka sot PS.
Në një intervistë për Ora News, me gazetaren Siklajda Shorja, Vasili tha se arrestimi i ish-kryebashkiakut, nuk ka surprizuar ndonjë pasi kjo ishte një ngjarje e paralajmëruar.
Petrit Vasili: Arrestimi i Kajmakut përkon dhe me përvjetorin që PS ka sot. Nuk besoj se kjo ngjarje ka surprizuar ndonjë. Ky kryebashkiak dhe shumë të tjerë, janë denoncuar gjerësisht. Ka pasur një qëndrim të një drejtësie të zënë për fyti që nuk vepron si duhet. Kjo është një kronikë e paralajmëruar. Sot është dita për t’i njohur Meritën Edi Ramës, që nga një PS që respektonte institucionet, e ktheu në partinë e Kajmakëve. Ky është degradimi i tmerrshëm në dëm të vendit dhe të këtij kryeministri.
Sipas Vasilit, Rama është ideatori dhe projektuesi i futjes së mafies në politikë, ndërsa shtoi se si Kajmaku përdorë edhe të tjerë e më pas: i hedh në koshin e mbeturinave.
Petrit Vasili: Rama është ideatori dhe projektuesi I futjes së mafies në politikë si kurrë më parë. Ky ishte Rama që bënte be rrufe për Kajmakun. Do isha habitur nëse Rama do kishte marrë përgjegjësi. Rama i merr, I përdorë, ndan para të pista me ta, ndan trafiqe të fëlliqura me ta, dhe në fund fare, destinacioni i tyre finalë është hedhja në koshin e plehrave dhe gjetja e Kajmakëve të radhës për të bërë shërbimin e trafikut të radhës. Edi Rama ka humbur të gjithë të drejtën morale e politike të flasë e kritikojë tjerët, pasi vetë është shëmbëlltyra e standardit më të ulët dhe më ordiner që ka parë ndonjëherë.
Përgatiti Anila Kolgjini.
