Harta e re gjyqësore, Dhoma e Avokatisë kundër: Bojkotojmë seancat gjyqësore nga 14-17 qershor

Harta e re Gjyqësore e propozuar nga Këshilli i Lartë Gjyqësor nuk pranohet nga avokatët, të cilët kanë paralajmëruar 4 ditë bojkot të seancave në të gjithë vendin. Ata kërkojnë reflektim ne lidhje me këtë draft, i cili shkel rëndë të drejtat e njeriut dhe cenon eksesin në drejtësi

Avokatët ne te gjithë vendin kanë vendosur të bojkotojnë për 4 ditë seancat në të gjitha shkallët e gjyqësorit.

Vendimi është marrë nga Dhoma Kombëtare e Avokatisë dhe shkak është bere mosmarrja parasysh e sugjerimet e avokatëve ne lidhje me shkrirje e gjykatave .

Në reagimin e Dhomës së Avokatisë thuhet se vendimi për hartën e re gjyqësore injoroi problematikat që u parashtruan nga avokatët si grup interesi dhe shkel të drejtat e njeriut si dhe cenon aksesin në drejtësi.

Pak muaj me parë KLGj paraqiti hartën e re Gjyqësore, me një Gjykatë Apeli, 13 gjykata të shkallës së parë dhe 2 Administrative.

Në reagimin e Dhomës së Avokatisë, thuhet se vendimi përkrah një sërë shkeljesh në proceset penale, civile e administrative të zhvilluara në gjykatat e të gjitha niveleve, si dhe u injoruan të gjitha problematikat që parashtruan gjatë diskutimit të draftit.

Avokatët deklarojnë se vendimi për miratimin e hartës së re gjyqësore është në shkelje të rëndë të të drejtave dhe lirive themelore të individit, të mbrojtura posaçërisht nga Kushtetuta.

Ky vendim cenon dhe kufizon rëndë aksesin në drejtësi të individit si dhe procesin e realizimit të mbrojtjes ne çështjet penale, civile dhe administrative.

Këto janë arsyet përse kanë vendosur të bojkotojnë procesin nga data 14 deri në datën 17 qershor.

Dhoma e Avokatisë e Shqipërisë i bën thirrje Ministrit të Drejtësisë dhe nëpërmjet tij kërkojnë që të përcillen në qeveri të gjithë argumentet e paraqitura në mbrojtje të interesave të personave fizik dhe atyre juridik, duke konkluduar mos miratimin vendimit të mësipërm paraqitur nga ana e Këshillit të Lartë Gjyqësor.

Me vendimin e ri shkrihen gjykatat në Tropojë, Krujë, Lushnje, Pogradec, Mat, Përmet, Kurbin, Kavajë, Pukë.