"Gimi është si puna ime" Alibeaj: Çfarë do të thotë Rama tani që Kajmaku u kap me kokainë në Itali?

Deputeti demokrat Enkelejd Alibeaj ka reaguar lidhur me kapjen e ish-kryebashkiakut të Vorës, Agim Kajmaku me 22 kg kokainë në Itali.

Ai shkruan se Rama thoshte se Kajmaku është si ai, duke shtuar se kur PD e denoncoi me fakte aktivitetin kriminal të Kajmakut në Greqi, Rama e mbrojti.

Ai shton se është kurioz të dëgjojë se çfarë do thotë sot shefi i Rilindjes, për një trafikant droge që e bëri kryetar bashkie, siç bëri shumë të tjerë, deputetë e drejtues të lartë të pushtetit të tij.

Alibeaj: E mbani mend kur Edi Rama thoshte "Gimi është si puna ime"? E kishte fjalën për Agim Kajmakun, ish-kryetar i bashkisë Vorë, sot i arrestuar në Itali për trafik droge. Kur PD e denoncoi me fakte aktivitetin kriminal të Kajmakut në Greqi, Rama e mbrojti, e justifikoi dhe e ia fshehu drejtësisë sa mundi. Nuk hoqi dorë asnjëherë prej sojit si ai, madje atë e përfshiu së fundmi edhe në zgjedhjet e 6 marsit në Vorë! Kurioz jam të dëgjoj se çfarë do thotë sot shefi i Rilindjes, për një trafikant droge që e bëri kryetar bashkie, siç bëri shumë të tjerë, deputetë e drejtues të lartë të pushtetit të tij. Nuk pres as të skuqet e as të zverdhet, sepse është i nxirë faqje të gjithëve nga raportet e DASH dhe ODHIR!

Me shumë gjasë sot, Edi Rama i zënë prapë mat, do zgjedhë kodin mafioz të heshtjes! Denoncimet e PD në të gjitha rastet për të inkriminuarit e tij janë vërtetuar dhe është provuar se pushteti i tij, është pushtet i marrë me kriminelë e trafikantë droge dhe me votat e non gratave të tij.  Agim Kajmaku është prova më e qartë për këtë. Edi Rama erdhi në pushtet me ndihmën e krimit që blenë e mblodhën vota për Rilindjen, dhe vazhdon të qëndrojë në pushtet me votat e krimit e të non gratave.