Policia bën bilancin e një jave, nga sekuestrimi i 5 mln eurove, te lufta ndaj kanabisit e krimit

Policia e Shtetit ka bërë bilancin e një jave të gjithë aksioneve policore që çuan në parandalimin e rasteve të ndryshme kriminale, krimit në familje, drogës dhe shkeljes së rregullave të qarkullimit rrugor.

Në listën e aksioneve të Policisë së Shtetit dy operacionet më të rëndësishme duket se janë ‘Syri i Shegani’ në Shkodër ku u bë e mundur arrestimi i autorëve të grabitjes së bankës në Koplik, si dhe ‘Illegal assets” ku falë dëshmisë së të penduarit të drejtësisë Nuredin Dumani u bë i mundur sekuestrimi i pasurive që vijnë nga paratë e krimit e që arrinin vlerën e 5 milion eurove.

Në bilancin e saj 7 ditor, policia bën me dije se gjatë kësaj jave janë arrestuar, proceduar dhe shpallur në kërkim 475 persona, nga këta: 135 janë arrestuar, 305 janë proceduar penalisht dhe 35 janë shpallur në kërkim. 

Policia njofton se janë kapur në total 43 persona në kërkim, 33 prej tyre në kërkim kombëtar dhe 10 në kërkim ndërkombëtar”, thuhet në njoftimin e policisë.

Lufta ndaj kultivimit të bimëve narkotike ka çuar në sekuestrimin e 32 kg kanabis si dhe në evidentimin e ambienteve të ndryshme që përdoreshin për mbjelljen e bimëve narkotike si dhe janë proceduar dhe arrestuar 475 persona për vepra të ndryshme kriminale.

Sa i përket policisë Rrugore për shkak të mosrespektimit të rregullave të qarkullimit rrugore janë pezulluar 556 leje drejtimi, nga të cilat: 409 për shpejtësi mbi normat e lejuara, 108 për drejtim mjeti nën efektin e alkoolit apo në gjendje të dehur dhe 39 për qarkullim në sens të kundërt.

“Janë arrestuar 78 drejtues mjetesh, nga këta: 27 për drejtim mjeti në gjendje të dehur dhe 51 për drejtim mjeti pa leje drejtimi”, thotë policia.