Tiranë, ushtronte dhunë ndaj gruas dhe djalit, kapet edhe me doza kokaina 46-vjeçari
Policia e Tiranës ka finalizuar operacionin e koduar "Last package", ku është prangosur një 46-vjeçar i cili ushtronte dhunë ndaj bashkëshortes dhe djalit të tyre të mitur.
Ndërkohë, gjatë kontrollit të banesës, iu gjet dhe iu sekuestrua një sasi lënde e dyshuar narkotike kokainë, të cilën e shiste në doza.
“Shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr. 5, në vijim të punës për goditjen e paligjshmërisë, bazuar dhe në informacionet e grumbulluara në rrugë operative, organizuan dhe finalizuan me sukses operacionin policor të koduar "Last package". Si rezultat i këtij operacioni u bë arrestimi në flagrancë i shtetasit: M. S., 46 vjeç, banues në rrugën "Thethi", Kamzë, për veprat penale "Dhuna në familje" dhe "Prodhimi dhe shitja e narkotikëve". Ky shtetas në mënyrë të vazhdueshme ka ushtruar dhunë fizike dhe psikologjike ndaj bashkëshortes së tij dhe djalit të tyre të mitur.” – bën me dije policia.
Nga veprimet hetimore ka rezultuar se ky shtetas, pasi siguronte lëndën narkotike kokainë, e ndante atë në doza, të cilat i shiste më pas, në zona të ndryshme të Kamzës.
Materialet i kaluan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme procedurale.

