Agim Kajmaku: Nga dënimi në Greqi te arrestimi në Tiranë, si i shpëtoi drejtësisë njeriu i Ramës

Agim Kajmaku, ish kryebashkiaku i Vorës i ka zgjidhur dy vite më parë problemet me drejtësinë shqiptare, por tashmë sapo i ka hapur ato me drejtësinë italiane, pas kapjes së tij nga autoritetet italiane më 20 kilogramë kokainë me vlerë afro 1 milionë euro.

Agim Kajmaku i propozuar nga kryeministri Edi Rama u zgjodh në krye të Bashkisë Vorë në zgjedhjet e 30 qershorit 2019, por u denoncua në atë kohë nga Partia Demokratike se kishte fshehur dënimin në Greqi për falsifikim parash dhe se kjo nuk ishte deklaruar në formularin e dekriminalizimit.

Fillimisht kjo u mohua prej tij dhe nga kryetari i tij Edi Rama, por më pas u vërtetua nga prokuroria e Tiranës përmes një letërporosie dërguar autoriteteve greke se ai ishte në kërkim në 2003 për falsifikim të kartëmonedhave dhe nuk ishte arrestuar pasi kishte ikur në Shqipëri.

Agim Kajmaku u shkarkua nga detyra e kryebashkiakut të Vorës, pasi njësia e dekriminalizimit në Prokurori, ngriti ndaj Kajmakut akuzën e falsifikimit të formularit të vetëdeklarimit si dhe për kryerjen e funksionit pasi i kishte përfunduar mandati.

Agim Kajmaku rezultoi se kishte mashtruar me formularin e dekriminalizimit, duke fshehur identitetin Jorgo Toto, me të cilin ishte ndjekur penalisht në Greqi.

Pasi u provuan akuzat, KQZ i hoqi mandatin Kajmakut, por pikërisht në atë ditë ai shkarkoi dy nënkryetarët e bashkisë, që u cilësua si i paligjshëm nga gjykata dhe rëndoi akuzën ndaj tij, pasi u akuzua edhe për përdorim të postit pas lirimit.

“Prokuroria e Rrethit Gjyqësor Tirane, ka shpallur në kërkim me masë sigurimi me arrest në burg, në lidhje me hetimin që zhvillohet në ngarkim të shtetasit Agim Kajmaku, i dyshuar për kryerjen e veprave penale, shpërdorim detyre, sipas nenit 248 te Kodit Penal, falsifikimi i formularëve, neni 190 i Kodit Penal, dhe Ushtrim i funksioneve pas dhënies fund të detyrës, neni 249 i Kodit Penal”, thuhej në urdhër-arrestin për Kajmakun të 1 nëntorit 2019.

Pas 8 muajve në arrati, Agim Kajmaku u arrestua në korrik 2020, në një spital privat në Tiranë ku po trajtohej për probleme shëndetësore.

Por dy ditë pas ndalimit, Kajmaku u la i lirë më 8 korrik 2020, kur Gjykata e Apelit ndryshoi masën e shkallës së parë nga 'arrest me burg' në 'detyrim paraqitje”, konkretisht ishte prokurorja Arta Marku ajo që kërkoi zbutjen e masës së sigurisë.

Agim Kajmaku vuan nga disa sëmundje dhe kjo me sa duket ka ndikuar në zbutjen e masës së sigurisë.