Çako: Nuk i kemi kapacitetet për të përballuar emergjencat, kemi nevojë për pajisje dhe trajnime
Emergjencat pa mjete kundër zjarreve, Çako: Avionët janë në remont, na duhet ndihmë
Emergjencat civile në Shqipëri nuk kanë mjetet e nevojshme për ndërhyrje nga ajri në rastet e zjarreve masive si ai i ishullit të Sazanit pak ditë më parë. Kreu i agjencisë Haki Çako në një prononcim për mediat, bëri të ditur se vendi ynë nuk ka kapacitete pasi avionët janë në remont, ndërkohë që bëri të ditur se është nënshkruar marrëveshje me Kosovën dhe Greqinë për ndihmë në përballimin e fatkeqësive natyrore.
Shqipëria nuk ka mjetet e nevojshme për tu përballur me fatkeqësitë natyrore, veçanërisht me zjarret masive gjatë sezonit të verës siç ishte rasti i flakëve që përfshinë javën e kaluar ishullin e Sazanit.
Çako: Jemi duke punuar intensivisht për të pajisur me gjitha mjetet e nevojshme për të menaxhuar sa më mirë pasojat e natyrës, natyrisht që Shqipëria ka nevojë për pajisje të tjera për të menaxhuar situatën e emergjencave. Kërkohet trajnim për njësitet e kërkim shpëtimit, emergjencat civile.
Në mungesë të flotës së helikopterëve shqiptarë, të cilët janë në remont, emergjencat civile duket se kanë kërkuar ndihmë afatgjatë nga jashtë duke firmosur marrëveshje me Kosovën e Greqinë ndërkohë që po punohet në këtë drejtim edhe me Italinë e Turqinë.
Çako: Ne jemi duke punuar shumë edhe për remontin e mjeteve ajrore që disponojmë dhe jemi në kontakt me partnerët ndërkombëtar. Ashtu ndodhi edhe gjatë sportin me Greqinë e cila na dha suport për fikjen e zjarreve në Sazan. Kapacitetet nuk janë ato që duhet të jenë, por ne po bëjmë përpjekje maksimale.
Kreu i agjencisë së emergjencave civile Haki Çako, gjatë një prononcimi për mediat tha se vendi ynë mbetet me risk veçanërisht për zjarret gjatë sezonit të verës.
Çako: Çështja e përmbytjeve dhe fatkeqësia natyrore që ka shumë risk ne jemi duke punuar pasi është një fenomen që vazhdon të vlerësohet në mënyrë konstante. Duhen rehabilituar zonat me risk të lartë.
Deklaratat kreu i agjencisë së emergjencave civile i bëri gjatë pjesëmarrjes në një konferencë të organizuar në Tiranë lidhur me strategjitë e përballimit të fatkeqësive natyrore.

