Fier, po transportonin 11 emigrantë të paligjshëm, prangosen 3 persona

Policia e Fierit ka finalizuar operacionin e koduar "Poçemi 2", për goditjen e veprimtarisë kriminale të dhënies ndihmë shtetasve të huaj, për kalim të paligjshëm të kufijve.
Në kuadër të këtij operacioni janë arrestuar në flagrancë 3 shtetas që transportonin 11 emigrantë të paligjshëm.
Këta shtetas janë kapur në flagrancë nga shërbimet e Policisë, në vendin e quajtur "Rotondo e Savrës", duke i transportuar me automjetet tip "BMË" dhe "Audi", 11 emigrantët.
“Specialistët e Seksionit për Hetimin e Trafiqeve të Paligjshme në DVP Fier, në bashkëpunim me Sektorin Operacional në DVP Fier, Komisariatin e Policisë Fier dhe Komisariatin e Policisë Lushnjë, kanë organizuar dhe finalizuar me sukses operacionin policor "Poçemi 2". Si rezultat i operacionit u arrestuan në flagrancë shtetasit A. D., 36 vjeç, banues në Tiranë, R. J., 33 vjeç, banues në Tiranë dhe A.B., 34 vjeç, banues në Vlorë, për veprën penale "Ndihma për kalim të paligjshëm të kufijve", e kryer në bashkëpunim.” – njofton policia.
U sekuestruan në cilësinë e provës materiale 2 automjetet dhe 4 aparate celulare.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme procedurale.
