Aksidenti në Fier, vdes punonjësi i FNSH-së dhe vjehrra e tij, plagoset dhe një vajzë 6 vjeçe
Sokrat Lela, 54 vjeç, punonjës i FNSH-së, së bashku me vjehrrën e tij, Bylyre Salaj, 78 vjeçe, kanë humbur jetën në aksidentin tragjik që ndodhi mbrëmjen e sotme (9 Maj) në aksin rrugor Levan-Tepelenë.
Si pasojë e aksidentit, ka mbetur e plagosur edhe bashkëshortja e Lelës, Fatbardha Lela,, 53 vjeçe, e cila ndodhet në gjendje të rëndë në spital.
Të plagosur gjithashtu kanë mbetur dhe shtetasit Gerti Skënderaj, 43 vjeç, banues në Cakran, drejtuesi i mjetit tip "Opel Zafira"), bashkëshortja Gladiola Meraj, 31 vjeçe dhe vajza e tyre 6 vjeçe.
Të plagosurit janë transportuar me urgjencë në spital dhe akoma nuk dihet gjendja e tyre shëndetësore.
Ngjarja ka ndodhur rreth orës 20:20, ku dy automjete tip "Opel Zafira" dhe "Ford" janë përplasur me njëri-tjetrin.
Njëra nga makinat është shkatërruar pothuajse e gjitha në pjesën e përparme, ndërsa tjetra ka përfunduar jashtë rrugës nga përplasja e fortë.
Dyshohet se shkak i aksidentit mund të ketë qenë një parakalim i gabuar ose lagështia në rrugë për shkak të reshjeve të shiut.
