Aksident tragjik në Fier, parakalimi i gabuar e lagështira vrasin 3 persona dhe plagosin 3 të tjerë
Një çift bashkëshortësh dhe nëna e gruas humbën jetën në aksidentin tragjik të shënuar mbrëmë në aksin Levan-Tepelenë. Tre anëtarë të një familje tjetër mbetën të plagosur pasi makinat ku udhëtonin u përplasën në rrugë. Dyshimet janë se shkak për aksidentin u bë një parakalim i gabuar, në kushtet e lagështirës në rrugë.
Këto janë pamjet e ditës së sotme në vendin ku ndodhi aksidenti tragjik mbrëmjen e djeshme që i mori jetën 3 personave dhe plagosi 3 të tjerë.
Çifti i bashkëshortëve Fatbardha e Sokrat Lelaj mbetën viktima të aksidentit tragjik në aksin Levan-Tepelenë mbrëmjen e së enjtes.
54-vjeçari, efektiv i ndërhyrjes së Shpejtë po udhëtonte në makinë me bashkëshorten dhe nënën e saj kur u përplasën me një tjetër mjet pranë fshatit Buzëmadh.
Goditja siç tregojnë pamjet ishte vdekjeprurëse.
Polici dhe vjehrra 78-vjeçare Bylyre Sala gjetën vdekjen në vendin e ngjarjes.
Gruaja 53-vjeçare, ndërroi jetë disa orë më pas në Spital si pasojë e plagëve që kishte marrë.
Bashkëshortët Lelaj lanë pas dy fëmijë.
Ngjarja e rëndë ndodhi rreth orë 20:20 pranë fshatit Buzëmadh të Fierit.
Në makinën tjetër që u përfshi në aksident udhëtonin tre anëtarë të një familje.
Gerti Skënderaj 43 vjeç. Gladiola Meraj 31 vjeç. dhe vajza e tyre 6-vjeçare mbetën të plagosur.
Njëra nga makinat përfundoi në kanal, ndërsa tjetra u kthye në një grumbull hekurishtesh në mes të rrugës.
Për të nxjerrë viktimat dhe të plagosurit forcave të policisë dhe grupeve të ndihmës së parë iu deshën disa minuta.
Shkak për aksidentin tragjik dyshohet se u bë një parakalim i gabuar dhe lagështia në rrugë pas reshjeve të shiut që kishin përfshirë zonën.
Por ekspertët e policisë ende nuk e kanë thënë fjalën e fundit.





