RENEA kap “Kel Çamin” me 12 mijë euro me vete, 1 muaj më parë u lirua nga gjykata për ngjarjen e “Pipit”

Ndërhyrja e RENEA në Elbasan, kishte si motiv arrestimin e Talo Çelës, Kamer Mehjas, Suel Çelës dhe Gentian Sharrës, por në fakt ky operacion blic nuk solli pritshmëritë e duhura.

Personi i vetëm që policia mendoi se kapën ishte pikërisht Klemend Xhaferi ose “Kel Çami”, i shpallur në kërkim me vendim gjykate për ngjarjen e 21 Prillit 2021, ku mbeti i vrarë Pjerin Xhuvani, që njihet ndryshe në Elbasan me nofkën “Pipi”.

Por siç mëson “Ora News”, Klemend Xhaferi, rezulton të ketë shuar masën e sigurisë “arrest në burg”, duke fituar lirinë e plotë. Ndryshimi i masës së sigurisë është bërë në datën 13 Maj 2022 nga gjyqtari i hetimit, Taulant Tafa.

Tafa, pasi është njohur me veprimet hetimore që ka kryer prokuroria karshi, Klemend Xhuvanit, dhe teksa ka analizuar pamjet filmike, ka vendosur ti shuajë masën e sigurisë arrest në burg, Klemend Xhaferit.

Xhaferi sipas pamjeve filmike të verifikuara nga gjyqtari i Elbasanit, nuk ka pasur në duar asnjë armë dhe mjet të paligjshëm ditën e krimit.

Pas ndryshimit të masës së sigurisë, Klemend Xhaferi, ka dalë lirshëm në qytetin e Elbasanit dhe për pasojë, ai është arrestuar ditën e sotme në Elbasan.

Ndalimi “Kel Çamit” është kryer në ambientet e Tregut-Ushqimor në Elbasan, ndërsa me vete kishte dhe 12 mijë euro.

Klemend Xhaferi, i kujtoi punonjësve të policisë se sasia e eurove ishte shuma e pagesës që ai do bënte tek një spital privat në Tiranë, pasi sipas burimeve të policisë e ka babain të sëmurë me zemër dhe do i nënshtrohej një operacioni.

Ndërkohë në total janë shoqëruar 10 persona, të cilët aktualisht janë duke u marrë në pyetje. Disa prej tyre janë liruar ndërsa disa të tjerë vijojnë të qëndrojnë në ambientet e policisë së Elbasanit.