Shuarja e zjarrit në ishullin e Sazanit, Prençi: Papërgjegjshmëri e drejtuesve të strukturave, operacionet më efikase mjetet ajrore

Ushtarakë dhe punonjës po përballen me flakët në ishullin e Sazanit, i cili ka dy ditë që po digjet, të paisur vetëm me lopata dhe me fikse zjarri dore.

Lidhur me këtë situatë ish kreu i Emergjencave Civile, Shemsi Prençi gjatë një interviste për ORA TV me gazetaren Beti Njuma tregoi se cila është mënyra efikase për shuarjen e zjarrit në këtë zonë.

Gazetarja: Ministria e Mbrojtjes ka këmbëngulur se ndërhyrja nga ajri nuk është e nevojshmë. A është ndërhyrja nga toka mënyra më efikase?

Shemsi Prençi: Do ta quaja papërgjegjshmëri të atyre që e artikulojnë këtë shprehje pasi zonat me infrastrukturë të pamjaftueshme për të ofruar mjete tokësore të fikjes së zjarrit si zjarrëfikësja apo depozitat e ujit, për tju shkuar në ndihmë zjarrëfikësve, janë të pamundura për të shkuar në ishullin e Sazanit, pasi nuk ka rrjet rrugor funksional. Autoritetet shtetërore shqiptare nuk kanë vënë në dispozicion një anije që transporton mjetet zjarrëfikëse për të shkuar për të fikur zjarrin. Në ishull në një mungesë infrastrukture të tillë forma e vetme efikase është ndërhyrja nga ajri. Papërgjegjshmëria e drejtuesve të strukturave të Ministrisë së Mbrojtjes, fakti që e kanë katandisur Shqipërinë, si një vend anëtar i NATO, pa asnjë mjet ajror në gadishmëri luftarake apo për operacione të mbrojtjes civile detyrimisht do të thonë pastaj se nuk ka nevojë dhe se forma më e mirë është ajo që artikoloi Ministri i Mbrojtjes sot, që thoshte "krijimi i brezave".  

"Krijimi i brezave përdoret në një zonë tepër të pyllëzuar për të shkëputur vatrën e zjarrit nga pjesa tjetër e pyllëzuar. Në zonën e Sazanit ka shkëmbenj gëlqeror pisha dhe lisa të cilët nuk ke mundësi për ti ndarë. Në të tilla kushte operacionet më efikase për opinionin publik por dhe për ministrin që nuk e di, është përdorimi i mjeteve ajrore por kryesisht avionëve dhe helikopterëve, duke përdorur shkumën për izolimin e vatrës së zjarrit dhe pastaj, kryqëzimin operazional për ta coptuar, e më pas mjetet tokësore dhe këmbesore për ta asgjesuar përfundimisht", u shpreh Prençi.