Ishulli i Sazanit nën flakë, Prençi: Zonë e minuar, nga shpërthimi rrezikohen turistët, ushtarët dhe zjarrëfikësit

Prej dy ditësh ishulli i Sazanit po digjet, flakët kanë përfshirë hektarë të tëra pyjesh ndërsa raportohet dhe për shpërthime municionesh.

Ndërsa Sazani po shkrumbohet ushtria shqiptare nuk ka mjete për të shuar flakët dhe nuk ka ndërhyrë nga ajri për të vënë nën kontroll situatën.

Në terren ushtarakë dhe punonjës po përballen me flakët të paisur vetëm me lopata dhe me fikse zjarri dore.

Në Ora Tv për të folur për këtë situatë ishte i pranishëm Shemsi Prençi, ish kreu i Emergjencave Civile njëkohësisht dhe këshilltar i Presidentit të Republikës për emergjencat civile.

Premçi tha se  Sazan si një zonë ku ka qindra municione të cilat rrezikojnë nga shpërthimi vënë në rrezik dhe jetën e turistëve, ushtarëve dhe të zjarrëfikësve.

Shemsi Prençi: Duket paradoks që në vitin 2022 strukturat e Forcave të Armatosura të Shqipërisë fikin zjarrin me kazma e me lopata, aq më keq në një zonë ushtarake me pasoja nga '97-ta ku me qindra mijra municione, predha, granata janë të paplasura. Sazanin do ta konsideroja jo si një zonë turistike por si një zonë të minuar për faktin se atje nuk rrezikohen vetëm pyjet por tashmë rrezikohen edhe turistët edhe ushtarët edhe zjarrfikësit nga shpërthimi i predhave, granatave apo minave të mbetura të shpërndara në pyjet e Sazanit.