Lejuan tjetërsimin e lagunës së 'Vainit', punonjësit e administratës së zonave të mbrojtura njihen me masat e sigurisë
Tre punonjësit e administratës së zonave të mbrojtura në Lezhë të arrestuar me akuzën se lejuan tjetërsimin e lagunës së Vainit u njohën me masat e sigurisë. Drejtori Pjetër Toni do të hetohet në shtëpi, ndërsa dy vartësit në qeli.
Pjetër Toni, drejtor i Administratës së Zonave të Mbrojtura në Lezhë do të hetohet në arrest shtëpie për akuzën e lejimit të tjetërsimit të lagunës së Vainit përmes hedhjes së Inerteve.
61 vjeçari u njoh më masën e sigurisë në Spitalin e Lezhës, ku ndodhet i shtruar për shkak të problemeve shëndetësore të shfaqura pasi u vu në pranga të premten.
Armando Lleshaj, specialist i Sektorit të Monitorimit dhe Tom Gjelaj me detyrë roje mjedisore ndërkohë dolën para togave te zeza në Gjykatën e Lezhës.
Gjyqtari Artan Hajredinaj vendosi ti lërë në burg deri në fund të hetimit.
Ndërkohë Pashk Ndoka, me detyrë përgjegjës i Sektorit të Monitorimit në adzm Lezhë është në kërkim.
Ndaj tyre është ngritur akuza e shpërdorimit të detyrës.
Sipas dosjes hetimore në "Grykëderdhjen e Matkeqës" për javë me radhë u hodhën interte dhe laguna u tjetërsua.
Gjithçka ndodhi mes ditës me diell, por ata që duhet të ruanin perlën e natyrës nuk ishin në lartësinë e detyrës.
Drejtori dhe inspektorët e Zonave të Mbrojtura në Lezhë akuzohen se nuk kanë përmbushur detyrat funksionale të përcaktuara në ligjet dhe aktet nënligjore për funksionet e tyre
Me veprimet dhe mosveprimet e tyre, ata kanë sjellë dëmtimin e zonës së mbrojtur të Kune – Vainit
Operacioni “tjetërsimi i lagunës” vijon për identifikimin dhe kapjen e personave të tjerë të përfshirë në këtë veprimtari kriminale.
Policia e Lezhës procedoi penalisht në nëntor të vitit që shkoi tre persona për hedhje të inerteve në lagunë me qëllimin përfitimin e tokës
Ndër vite, Laguna e Kune Vainit është ndotur dhe dëmtuar, ndërsa përgjegjesit nuk kanë ndëshkimin për krimt ndaj natyrës
