Ishulli i Sazanit po digjet, ushtarët luftojnë me flakët me kazma lopata e pompa shpine. Ende s'ka ndërhyrje nga ajri
Ishulli i Sazanit po digjet. Situata është kritike për të dytën ditë me radhë.
Sipërfaqe e konsiderueshme është në flakë. Pamjet e së hënës (6 qershor) tregojnë se forcat e ushtrisë po luftojnë me flakët me lopata, kazma e pompa shpine.
Flakët po i ofrohen bazës ushtarake, e cila aktualisht shërben për për monitorimin e hapësirës detare nëpërmjet radarëve.
Në zonë ka pasur edhe disa shpërthime municonesh, ndërsa forcat ushtarake kanë nxjerrë dhe disa predha.
Municionet e bëjnë të rrezikshme edhe ndërhyrjen e zjarrfikësve dhe ushtisë, që prej së dielës po luftojnë me flakët.
Ministria e Mbrojtjes është mjaftuar me postime të herë pas hershme të Ministrit Niko Peleshi, ndërsa ai ka pranuar të hënë se situata është kritike.
Niko Peleshi: Situata vijon të jetë kritike, pasi flakët përhapen për shkak edhe të erës. Është shtuar numri i efektivëve që janë angazhuar në aksionin e shuarjes së zjarrit.
Për shuarjen e flakëve janë angazhuar pjesëtarë të Flotiljes Detare në Pashaliman, efektivë të Forcave Speciale, zjarrfikëses së Vlorës dhe vullnetarë, ndërkohë nuk dihet pse qeveria ende nuk ka angazhuar ndërhyrjen nga ajri.
Shkaku nisjes së zjarrit në Sazan ende nuk dihet ndërsa dyshohet se ai ka qenë i qëllimshëm.
Qindra hektarë pyje u dogjën vitin e kaluar në vendin tonë, ndërsa situate kritike nxori në pah mungesën e mjeteve për ndërhyje për shuarjen e zjarreve, pasi vendit tonë i erdhën në ndihmë shtete të tjera evropiane me helikopterë.
