Të huajt zbulojnë Pustecin/ Turistët: Natyra e mrekullueshme, ushqimi mjaft i veçantë
Bashkia e Pusticit edhe pse me pak banorë të mbetur atje, po sheh kohët e fundit një rritje të numrit të turistëve. Liqeni i Prespës, me gjithë bukuritë e tij ka shtuar numrin e turistëve në bashkinë minoritare e cila kufizohet me Maqedoninë e Veriut dhe Greqinë.
Liqeni i Prespës, rrugicat e ngushta e karakteristike, malet dhe Ishulli i Maligradit, e bëjnë Pustecin një zonë mjaft të veçantë.
Të huajt e kanë gjetur Pustecin dhe shprehen të mahnitur me bukuritë e fshatit.
“Jam nga Shkupi, por jetoj në Florida të SHBA. Këtu ushqimi është shumë i mirë dhe njerëzit janë shumë miqësor. Natyra, liqeni dhe malet janë të mrekullueshme”
“Unë jam nga Franca, e kam gjetur Pustecin përmes hartës. Kam ardhur tre ditë më parë në Tiranë, pastaj në Pogradec dhe më vonë erdha dhe këtu. Është një vend i mrekullueshëm sidomos ushqimi."
Edhe pse pak njerëz kanë mbetur në zonë, turizmi duket se ka nisur duke u gjallëruar.
Këtë fakt e pohon edhe vetë kryebashkiaku Pali Kolefski.
“Sivjet kemi një rritje të turistëve, mund të them diku te 20%. Nuk e kemi të përcaktuar por ka një rritje të turistëve.”
Në kuadër të Ditës Botërore të mjedisit, dhe hapjen e sezonit turistik, Bashkia Pustec në bashkëpunim me Bashkitë nderkufitare, Bashkinë e Prespës ne pjesën e Greqisë dhe Bashkinë e Resnjes në Maqedoninë e Veriut, kanë organizuar një aksion pastrimi të bregut të liqenit të Prespës, ku secila palë ka ndërmarrë aksion pastrimi në pjesën e vet, nën moton “Për Një Prespë sa më të Pastër”.

