Rihapet doktoratura te ekonomiku/ Pas 10 vitesh, fakulteti i Ekonomisë ka shpallur 119 fituesit

Nga 203 aplikantë për të ndjekur Doktoraturën në Shkencat Ekonomike janë shpallur 119 fitues. Vakanca prej 10 vitesh në këtë drejtim sipas dekanit të fakultetit Dhori Kule ka shërbyer si fazë pregaditore për të rritur cilësinë dhe efektshmërinë e këtyre punimeve.

Fakulteti i Ekonomisë, pas 10 vitesh ndalesë shpalli fituesit e programit të doktoraturës. Vetëm më pak se 50% e atyre që aplikuan do të ndjekin studimet e Ciklit të Tretë në Shkencat Ekonomike.
Dekani i Universitetit Dhori Kule thekson rëndësinë e kthimit të këtij programi.

“Në kuadrin e marrëveshjeve, bashkëpunimet që kemi  me institucionet e tjera, me institucionet e shtetit, INSTAT, me sistemin bankar. Pra është një parapërgatitje nga strukturat e Fakultetit Ekonomik, për të siguruar sukses.”

Kule shpjegon se kjo periudhë ka shërbyer si një fazë pregatitore për vetë pedagogët udhëheqës, të cilët sipas gradave e kanë të përcaktuar numrin e doktorantëve që mund të udhëheqin.

“Pedagog të brendshëm të cilët e kanë detyrim ligjor. Që nga momenti që rekrutoheshin, duhet të kishin vazhduar doktoraturën, por  ata janë të përgatitur gjatë kësaj kohe. Është një vonesë që do ta zevëndësojmë me cilësi.”

Profesorët listuan emrat fitues sipas 7 departamenteve të ndryshme teksa nënvizuan rëndësinë e këtyre punimeve shkencore të cilat nuk i shërbejnë vetëm rritjes profesionale të individit por lidhjes me institucionet të cilat shprehin nevojën për to.