‘UÇK’ kundër Albin Kurtit. Haradinaj: Turp që merreni me 40 eurot që doni t’ju hiqni veteranëve

Kuvendi i Kosovës nuk pati kuorumin e nevojshëm për të votuar Projektligjin për rritjen e pagës minimale.

Pro tij votuan vetëm 51 deputetë nga radhët e maxhorancës.

Përveç tensioneve jashtë Parlamentit, edhe në mes të deputetëve u shënuan disa episode.

Sigurisht që kryefjala ishte paga për veteranët, të cilat nuk u përfshinë në projektligjin për rritjen e rrogës nominale.

Ish-kryeministri, njëherazi kreu i AAK-së Ramush Haradinaj e quajti projektligjin një turp përderisa përjashton veteranët nga rritja e pagës prej dhjetëra eurosh.

"Si me ja pru vetes, këtij populli, këtij parlamenti me diskutu a është në rregull me i nda veteranët kur e risin pagën minimale apo nuk është? Është turp për ty Glauk Konjuca, djali i Sherif Konjucës, është turp për Granit Krasniqin, Fatmir Rumollin, Enver Dugollin e gjithë të tjerët. Nuk do ta kaloni dot këtë ligj se nëse doni të bëni lojë hajde ta shohim deri ku po shkoni," tha Haradinaj.

Shefja e grupit të maxhorancës, Mimoza Kusari Lila e pranon se situata aktuale e veteranëve nuk është ajo që ata meritojnë.

Por megjithatë ajo hodhi akuza ndaj qeverive të kaluara, se kanë rritur numrin e veteranëve.

"Mos të harrojmë se qeveritë përpara zgjedhjeve kanë siguruar si të rriten listat e veteranëve që ata të mund ti shfrytëzojnë më pas për vota," tha ajo.

Kujtojmë që përpara fillimi të seancës pati përplasje mes protestuesve nga radhët e veteranëve të luftës dhe forcave të policisë.

Veteranët e UÇK-së kërkonin përfshirjen e pagave të tyre në projektligjin e ri të qeverisë për rritjen e rrogës minimale.

"Ky pushtet do që të heqë veteranët e luftës nga lidhja me pagën minimale u vendos që të kundërshtohet një gjë e tillë. U vendos që të protestohet kundër diskriminimit që po u bëhet veteranëve, invalidëve dhe familjeve të dëshmorëve. Deputetët e zgjedhur të popullit duhet tu shërbejnë interesave të atyre që i sollën në karriget e kuvendit dhe jo interesave të politikës," tha protestuesi.

Nga të dyja palët pati edhe të plagosur në momentin që protestuesit thyen barrierat e Kuvendit.

Pati edhe raportime për hedhje të gazit lotsjellës, të cilin Policia e Kosovës e mohoi.