NE PERDITESIM/ Atentat në Shkodër: Vritet Naim Bajri, plagoset punëtori. Gjendet makinë e djegur në Livadh
Shkodra u trondit mëngjesin e sotëm ( 3 qershor 2022) nga një atentat në markatën e Rusit në lagjen "Partizani". Naim Bajri 68 vjeç mbeti i vrarë ndërsa u plagos Astrit Zeneli 58 vjeç, nga persona ende të paidentifikuar.
Hijet e një sage të vjetër hakmarrjeje rikthehen në qytet pas ekzekutimit të një anëtari të fisit Bajri. Naim Bajri u vra duke pirë kafen e mëngjesit në zonën merkatës së Rusit, në një atentat të mirëorganizuar. Një person që ishte më të në tavolinë rrezikoi të kthehej në viktimë aksidentale e guximit të vrasësve për të qëlluar me breshëri në mes të rrugës. Viktimës i kanë vrarë djalin e tij plot 21 vite më parë.
Lajmi në përditësim
Ora 12:00 7 plumba në kafen e mëngjesit Naim Bajrit. Hijet e një sage te vjetër hakmarrjeje

Naim Bajri, nuk e mbaroi dot kafen e mëngjesit, pasi e ekzekutuan pranë Merkatës së Rusit në Shkodër.
Ishte ora 07 20 minuta.
68 vjeçari ishte ulur në një tavolinë të vogël pranë rrugës nga ku vrasësit erdhën me makinë.
U afruan me trotuarin, ulën xhamin dhe ekzekutori qëlloi nga brenda mjetit me breshëri arme zjarri.
Dyshohet se përdorën automatik.
Naim Bajri, mori 7 plumba në pjesë të ndryshme të trupit e për pasojë ndërroi jetë në mes të trotuarit.
Bashkë me 68 vjeçarin që njihet si tregtar peshku në merkatë, në tavolinë ishte edhe punonjësi i tij Astrit Zeneli, rreth 58 vjeç.
Mes breshërisë së plumbave, rrezikoi të ishte viktimë aksidentale, por fatmirësisht shpëtoi me vetëm një plumb çka nuk i rrezon jetën.
Pasi u siguruan se Naim Bajri kishte vdekur, autorët u larguan nga vendngjarja me shpejtësi.
Mjeti Benz që u përdor për krimin u gjet në flakë disa minuta më në një rrugicë në afërsi të bypassit të Shkodrës.
Taktikë e përdorur pas çdo krimi të rëndë të shënuar vitet e fundit në vend, pasi zjarri zhduk provat që mund të lihen në mjet.
Ora 09:06 Detaji: Naim Bajri u ekzekutua teksa pinte kafen me punëtorin e tij
Ekzekutimi i Naim Bajrit ndodhi në një zonë tepër të frekuentuar si markata e Rusit.
Naim Bajri ka qenë duke pirë kafen e mëngjesit me punëtorin e tij Astrit Zeneli në një lokal të vogël kur pranë është afruar një automjet tip Benz dhe drejt tyre është qëlluar 10 herë.
Burimet e policisë bëjnë me dije se shënjestra ka qenë viktima, të cilit në 2001 i vranë dhe djalin Indrit Bajri.
Pritet të verifikohen pamjet e kamerave të sigurisë si dhe dëshmitarët që mund të kenë parë krimin.
Krimi ndodhi në një nga zonat me fluks më të lartë në qytet.
“Është një nga zonat që prej orës 05:00 nis aktiviteti duke qenë se është një nga kryqëzimet më të frekuentuara të Shkodrës, dhe pika lidhëse me Malësinë e madhe”
Ora 08:40 Atentati në Shkodër, në livadh u gjet makina në flakë, Viktimës i vranë djalin 21 vite më parë
Ora News sjell pamjet e vendit ku u gjet makina e djegur që dyshohet se u përket autorëve të vrasjes së Naim Bajrit, mëngjesin e sotëm në Shkodër.
Nga atentati në markatën e Rusit në lagjen “Partizani” mbeti I plagosur shtetasi A. Z., 58 vjeç, banues në fshatin Dobraç, Shkodër.
Makina është gjetur në livadh, në lagjen "Guerrile", Shkodër.
Në momentin kur kanë shkuar zjarrfikësit makina ka qenë ende në flakë, ndërkohë në vendin e krimit ekspertët e grupit hetimor po mbledhin prova material.
Naim Bajrit në vitin 2001 i kanë vrarë djalin, Indrit Bajrin në atë kohë rreth moshës 21 vjeç. Autorë për vrasjen e tij dyshohet të kenë qenë Mir Vetulla , Xhabir Shega dhe Enver Barbullushi.
Ora 08:16 Atentati në Shkodër, FNSH kreh zonën, në ndihmë dhe RENEA
Policia e Shkodrës jep Informacion paraprak mbi vrasjen që tronditi qytetin.
Rreth orës 07:20, në vendin e quajtur "Merkata e Rusit", në lagjen “Partizani”, Shkodër, në rrethana ende të paqarta, është vrarë me armë zjarri shtetasi Naim Bajri 68 vjeç, banues në fshatin Dobraç, Shkodër dhe ka mbetur i plagosur lehtë, jashtë rrezikut për jetën, shtetasi A. Z., 58 vjeç, banues në fshatin Dobraç, Shkodër.
Gjithashtu në livadh, në lagjen "Guerrile", Shkodër, është gjetur i djegur një mjet që dyshohet të jetë përdorur nga autorët.
Janë ngritur pika kontrolli dhe po vijon krehja e zonës nga Policia vendore dhe FNSH Shkodër, si dhe janë nisur në drejtim të Shkodrës, grupe të RENEA-s.
Ora 07:29 Vritet Naim Bajri, plagoset një tjetër. Gjendet një makinë e djegur në Livadh
Një vrasje u shënua mëngjesin e sotëm në qytetin e Shkodrës.
Naim Bajri është vrarë nga person/a ende të paidentifikuar. Në atentat ka mbetur i plagosur dhe Astrit Zeneli i cili ndodhet jashtë rrezikut për jetën.
Naim Bajrit në vitin 2001 i kanë vrarë djalin, Indrit Bajrin në atë kohë rreth moshës 21 vjeç. Autorë për vrasjen e tij dyshohet të kenë qenë Mir Vetulla , Xhabir Shega dhe Enver Barbullushi.
Policia ka mbërritur në vendngjarje për zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes. Ndërkohë është raportuar dhe për një makinë të djegur në bypass-in e Shkodrës.



