Vdekja e Nishanit/ Topi: U nderua nga të gjithë, la një trashëgimi të spikatur kudo që shërbeu


Politikanë të të gjithë krahëve politikë, diplomatë, klerike, miq dhe qytetarë i bënë homazhet e fundit ish kreut të shtetit Bujar Nishani, në ceremoninë shtetërore të organizuar sot (2 qershor 2022) në Presidencë. Ndarja nga jeta në moshën 56 vjeçare, bëri bashkë ish presidentët e Shqipërisë e Kosovës, Alfred Moisiu, Rexhep Meidani, e Bamir Topi.

Ky i fundit në një intervistë për RTV Ora me gazetaren Beti Njuma, tha se Nishani iku në moshë shumë të re ndërsa shtoi se ai u nderua nga të gjithë. Topi teksa i ka shprehur sërish ngushëllime familjes tha se Nishani ka lënë një trashëgimi të spikatur, kudo që ka shërbyer.

Bamir Topi: Iku në moshë shumë të re. Një moshë që njeriu kur merret me politikë është ai momenti që mund t’i japë politikës më shumë se kurrë, nisur nga pjekuria apo eksperienca. Në këto raste dhimbja më e madhe është e familjarëve dhe më pas miqtë, kolegët. Ai u nderua me një ceremoni shtetërore, dhe ajo që binte në sy ishte se u nderua nga të gjithë. Kishte një prani cilësore nga politika e Kosovës, Mali i Zi, nga shqiptarët e Maqedonisë së Veriut. Iu bë një nderim i duhur. Unë shpreh ngushëllimet e mia për familjarët, duke qenë i bindur se Nishani la një trashëgimi të spikatur jo vetëm në institucionin e presidentit të republikës, por kudo ku ai ka shërbyer, qoftë në fushën e tij të ushtrisë, pastaj në strukturat e PD-së, pastaj në qeveri dhe së fundmi në presidencë.

Topi tregoi se kur e ka takuar për herë të parë Nishanin.

Bamir Topi: Kam pasur rastin ta njohë rreth 22 vite përpara, ku pashë te ai një njeri serioz dhe aty dallova cilësinë e një politikani të ardhshëm dhe ashtu ishte.

Përgatiti Anila Kolgjini.