Koti: Qeveria pa masa për përballimin e krizës, qytetarët po bëhen gati për protesta

Deputetja e Partisë Demokratike  dhe njëherësh nënkryetare e Komisionit të Ekonomisë Sorina Koti tha se qeveria nuk ka marrë asnjë masë për përballimin e krizës energjitike. Gjatë një interviste me gazetarin Everest Dedaj në Ora News ajo tha gjithashtu se qytetarët shqiptarë po përgatiten për të thirrur protesta për shkak të rritjes së çmimeve.

Sorina Koti: Shqipëria importon gjithmonë energji elektrike në muajt e verës kështu që jemi përpara një situate të vështirë energjitike tashmë por nuk kemi asnjë masë të marrë konkretisht nga qeveria. Ne kemi kohë që po kërkojmë ngritjen e një Komisioni të Posaçëm për Energjinë dhe mbrojtjen e konsumatorit, ende nuk kemi marrë një miratim ta saj. Kjo është një situatë për të ardhur keq. Është një situatë ku opozita dhe maxhoranca duhet të japin ndikimin e saj. Duhet të japin përvojën më të mirë për të nxjerrë shqiptarët nga kriza. Ne kemi të gjitha burimet tona natyrore për tu ardhur në ndihmë qytetarëve por kjo është përsëri te vullneti. Vazhdojmë të ngulim këmbë në ngritjen e këtij komisioni.

"Në Komision të Ekonomisë do të vazhdojmë të japim rekomandimet tona. Ndoshta duhet të ngrejmë dhe ne tonet tona të diskutimit, përtej etikës së komunikimit brenda komisionit për një ulje të mundshme të TVSH-së ashtu siç e kemi rekomanduar dhe më përpara. Qytetarët shqiptarë janë duke u bërë gati për protesta. Në dijenin time ëshët thirrur një protestë në Korçë dhe shumë qytete të tjera po bëhen gati për të thirrur protesta për ngritjen e çmimeve të produkteve dhe të naftës. Mbase qeveria do të jetë në pikën limite të saj për të reaguar pasi jemi në një situatë kritike qoftë nga buxheti i familjarëve qoftë  nga buxheti i shtetit", tha ajo.