Koti: Bordet cënojnë lirinë e tregut, shteti të sistemojë situatën dhe jo të vendosë çmimet

Deputetja e Partisë Demokratike  dhe njëherësh nënkryetare e Komisionit të Ekonomisë Sorina Koti gjatë një interviste me gazetarin Everest Dedaj në Ora News tha se PD ka qenë kundër ngritjes së bordeve pasi cënojnë lirinë e tregut. Sipas saj ndërhyrja e tanishme e qeverisë në çmime ka çekuilibruar gjithë tregun.

Sorina Koti: Të gjithë qytetarët shqiptarë po vuajnë në mënyrë të vazhdueshme rritjen e çmimeve të produkteve jetike dhe të çmimit të naftës e të gazit. Kjo tregon papërgjegjshmërinë e qeverisë qoftë për ngritjen e bordeve për kontrollin e çmimeve të cilat realisht nuk kanë funksionuar për të kontrolluar abuzimin e çmimeve por dhe për të siguruar ushqimet bazë që vijnë nga prodhimi i brendshëm. Ne kemi qenë kundër ngritjes së bordeve pasi kjo cënon lirinë e tregut dhe ne jemi në një treg të lirë ku çmimi përcaktohet nga shitësi dhe blerësi por kemi ndërhyrjen e qeverisë në këtë rast që ka çekuilibruar gjithë tregun. Shteti duhet të jetë rregullator për të sistemuar këtë situatë por jo për të vendosur çmime tavan e çmime dysheme.

"Ditën e sotme çmimi i naftës ka pësuar rënie në bursat ndërkombëtare ndërkohë që në Shqipëri vazhdon të rritet. Kështu që kemi një paqartësi dhe mungesë transparence nga Ministri i Financave dhe nga Autoriteti i Konkurencës për të ndihmuar konsumatorin.  Kemi parë një mungesë të plotë vullneti për të ndihmuar qytetarët", u shpreh Koti.