Shkodër: 7 plumba në kafen e mëngjesit Naim Bajrit. Hijet e një sage te vjetër hakmarrjeje. Në 2001 i vranë djalin, Indritin
Hijet e një sagë te vjetër hakmarrjeje u rikthyen këtë të premte (3 qershor 2022) në Shkodër me ekzekutimin një anëtari të fisit Bajri. Naim Bajri u vra duke pirë kafen e mëngjesit në zonën merkatës së Rusit, në një atentat të mirëorganizuar. Një person që ishte më të në tavolinë rrezikoi të kthehej në viktimë aksidentale e guximit të vrasësve për të qëlluar me breshëri në mes të rrugës.
Shkodër- Naim Bajri, nuk e mbaroi dot kafen e mëngjesit, pasi e ekzekutuan pranë Merkatës së Rusit në Shkodër.
Ishte ora 07 20 minuta.
68 vjeçari ishte ulur në një tavolinë të vogël pranë rrugës nga ku vrasësit erdhën me makinë.
U afruan me trotuarin, ulën xhamin dhe ekzekutori qëlloi nga brenda mjetit me breshëri arme zjarri.
Dyshohet se përdorën automatik.
Naim Bajri, mori 7 plumba në pjesë të ndryshme të trupit e për pasojë ndërroi jetë në mes të trotuarit.
Bashkë me 68 vjeçarin që njihet si tregtar peshku në merkatë, në tavolinë ishte edhe punonjësi i tij Astrit Zeneli, rreth 58 vjeç.
Mes breshërisë së plumbave, rrezikoi të ishte viktimë aksidentale, por fatmirësisht shpëtoi me vetëm një plumb çka nuk i rrezon jetën.
Pasi u siguruan se Naim Bajri kishte vdekur, autorët u larguan nga vendngjarja me shpejtësi.
Mjeti Benz që u përdor për krimin u gjet në flakë disa minuta më në një rrugicë në afërsi të bypassit të Shkodrës.
Taktikë e përdorur pas çdo krimi të rëndë të shënuar vitet e fundit në vend, pasi zjarri zhduk provat që mund të lihen në mjet.
Prej vendit ku dogjën mjetin, ekzekutorët e Naim Bajrit humbën gjurmët.
Mundësitë e largimit prej aty janë të shumta, me makinë ose qoftë edhe në këmbë.

Rikthimi i atentateve të mirëorganizuara dhe fakti që viktima ishte anëtar i fisit Bajri, që ndër vite ka qenë i përfshirë në disa ngjarje të rënda vuri në alarm policinë e Shtetit.
Në kryeqendrën e veriut zbarkuan Forcat e Ndërhyrjes së Shpejtë dhe grupe të RENEA-s.
Ngritën postblloqe dhe ushtruan kontrolle, por veprimet e para nuk dhanë rezultat.

Grupi hetimor, ndërkohë ka sekuestruar pamjet e kamerave të sigurisë në zonë dhe në rrugën që përshkruan vrasësit me makinë për të rënë në gjurmët e tyre.
68 vjeçari i vrarë në Shkodër është babai i Indrit Bajrit, i ekzekutuar në vitin 2001 nga Xhabir Shega, Kujtim Barbullushi dhe Ilimir Hajdari.
Xhabir Shega u vra 4 vite më vonë me snajper.
Dyshimet janë se vrasja e Naim Bajrit është vazhdimësi e një sage hakmarrjeje në kryeqendrën e veriut.

