Topi: BE e ka ‘përkdhelur’ shumë Serbinë në raport me Shqipërinë

Ish-Presidenti Bamir Topi ka komentuar deklaratat e Kryeministrit Edi Rama, në debatin e hapur të Këshillit të Sigurimit të OKB-së, ku ndër të tjera tha se u detyrohemi vepra e jo fjalë mijëra viktimave në Kosovë dhe Srebrenicë.

Në një intervistë për RTV Ora me gazetaren Beti Njuma, Topi tha se memoria historike nuk e ka karakterizuar Ramën për të qenë në kohezion me këtë lloj ndjeshmërie.

Topi projektin ‘Ballkan i Hapur’ e ka konsideruar si projekt politik.

Bamir Topi: Historia memories historike asnjëherë nuk e ka karakterizuar Ramën për të qenë në kohezion me këtë lloj ndjeshmërie. Kjo është parë në raportet e krijuara në funksion të një projekti, i cili e ka marrë emrin ‘Ballkan i Hapur’ . Problemi është se projekti “Ballkan i Hapur’ nuk është thjesht problem ekonomik. “Ballkan i Hapur’ është një projekt politik. Ju e shikoni në kohë reale se cila është sjellja e Vuçiç, ai ka krijuar tezat e tij të palëvizshme, por kjo është puna e tij.

Ndër të tjera ai tha se BE e ka ‘përkëdhelur’ shumë Serbinë në raport me Shqipërinë apo vendet e tjera të Ballkanit Perëndimor.

Bamir Topi: Mua më duket se BE e ka përkëdhelur shumë Serbinë në raport me Shqipërinë dhe me pjesën tjetër të Ballkanit Perëndimor. Serbia është si ai lojtari që luan me dy këmbët.

Përgatiti Anila Kolgjini.