Ministri ukrainas i Mbrojtjes falenderon publikisht Biden për raketat HIMARS
Ministri ukrainas i Mbrojtjes, Oleskii Reznikov ka falenderuar sot publikisht presidentin e SHBA-së dhe ushtrinë amerikane për përfshirjen e sistemeve raketore HIMARS, për Ukrainën.
"Isha i kënaqur kur pashë në paketën e 11-të të ndihmës ushtarake për Ukrainën edhe sistemin e raketave HIMARS. Bashkëpunimi ynë është më i fortë se kurrë," shkroi ai në një postim në Twitter.
Biden njoftoi zyrtarisht të mërkurën se do të dërgonin në Ukrainë dhe sistemin e raketave HIMARS, një artileri me lëvizshmëri të lartë e prodhuar nga SHBA-ja.
"Sistemet do të kenë një rreze prej 70 km që është më shumë se çdo gjë tjetër që Ukraina ka sot," tha një zyrtar amerikan, raporton CNN.
Ukraina pati kërkuar armë me rreze të gjatë, por SHBA-ja nuk pati rënë dakord me frikën se ato do të përdoreshin drejtpërdrejt në territorin rus, duke përshkallëzuar konfliktin.
