Shembet ‘ura’ Ankara-Athinë, Turqia ndërpret bisedimet e nivelit të lartë me Greqinë
Turqia i ka dhënë fund marrëdhënieve të nivelit të lartë me Greqinë pas tensioneve në rritje gjatë ditëve të fundit, njëra prej të cilave edhe për Shën Sofinë. Një javë më herët Erdogan tha se kryeministri grek nuk ekzistonte më për të.
Pasi tha se nuk do të takonte më kryeministrin helen, presidenti i Turqisë Rexhep Tajip Erdogan deklaroi të mërkurën se do të ndërpriste marrëdhëniet e nivelit të lartë me Greqinë.
Ankaraja rifilloi negociatat me Athinën vitin e kaluar pas një ndërprerjeje pesëvjeçare për të adresuar mosmarrëveshjet mbi një sërë çështjesh si kërkimi i mineraleve në Mesdheun lindor dhe pretendimet në detin Egje.
Bisedimet kishin bërë pak përparim, por ishin një mjet për të dy vendet për të shprehur ankesat e tyre pa iu drejtuar një përplasjeje të mundshme të armatosur siç kishte ndodhur dy vjet më parë.
Vendimi i Erdogan ndjek pakënaqësitë e kreut të shtetit turk me kryeministrin grek Qirjakos Micotaqis, pas vizitës së këtij të fundit në Shtetet e Bashkuara.
Erdogan tha se Mitsotakis nuk ekziston më për të dhe akuzoi liderin grek se po përpiqet të bllokojë blerjen e avionëve luftarakë F-16 nga Turqia.
Erdogan komentoi gjithashtu kundërshtimin e Turqisë për anëtarësimin e Suedisë dhe Finlandës në NATO.
Erdogan: NATO është një organizatë sigurie, jo një organizatë mbështetëse për organizatat terroriste. Turqia nuk do të ndryshojë qëndrimin e saj për aplikimin suedez dhe finlandez të NATO-s pa parë "dokumentet detyruese" që demonstrojnë një qasje të ashpër ndaj atyre që Ankaraja i konsideron terroristë.
