Shkodër/ Frikë dhe dëme në banesën e policit, dëshmia pas shpërthimit me tritol
Shkodra nuk po gjen qetësi nga sulmet me tritol. Shenjestra sërish ishte uniforma e shtetit. Ka qënë ora 02.25 minuta e mëngjesit të së enjtes kur një sasi lënde plasëse ju vendos në banesë oficerit të policisë së komisariatit Shkoder Pëllumb Vuka.
Ai ka qënë në gjumë sëbashku me pjestarët e tjerë te familjes kur dëgjoi shperthimin e rëndë, që shkaktoi dëme të shumta materiale, por fatmirësisht nuk lëndoi njeri.
Sasia e lëndës plasëse u vendos nga autori në një prej këndeve të shtëpisë, aty ku edhe gjurmët i la më të mëdha. Vala e shpërthimit dëmtoi mjetin tip Benz të parkuar në hyrje të banesës si dhe orenditë e brendshme, dyer e dritare. Për të hyrë në perimetrin e shtëpisë private në Hot të ri, autori ka përdorur një gardh anësor ku kufizohet shtëpia me një tokë bujqësore.
Mungesa e kamerave të sigurisë e vështirëson zbardhjen e ngjarjes, ndërsa shpresa e vetme për grupin hetimor mbetet gjetja e ndonje gjurme në zonë.
Vetë efektivi Vuka ju tha kolegëve se nuk ka konflikte me njeri dhe ngjarjen e lidh me detyrën.
Prokuroria dhe policia e Shkodres dokumentojnë kështu një ngjarje tjetër pa autor. Ky është rasti i katërt që sulmohen në harkun kohor të pak javëve banesat dhe mjetet e efektivëve të policisë së qarkut Shkoder.

