Shqipëria humb sërish në Strasburg, duhet të dëmshpërblejë të “fortin e Vlorës” me 15 mijë euro

Një tjetër vendim në disfavor të Shqipërisë është dhënë nga Gjykata e Strasburgut për të drejtat e njeriut.

Kështu, Fotaq Zaharia ose i njohur ndryshe si i “forti i Vlorës” ka fituar betejën gjyqësore ndaj qeverisë në këtë gjykatë.

Pas këtij vendim Këshilli i Ministrave i ka akorduar Fotaq Zaharisë shumën 13 000 (trembëdhjetë mijë) euro, për mbulimin e dëmit pasuror dhe jopasuror dhe 2000 (dy mijë) euro, në lidhje me kostot dhe shpenzimet, plus çdo taksë që mund të jetë e aplikueshme.

Ndërkohë, sipas vendimit mësohet se pagimi i kësaj shumës do të bëhet nga buxheti i Ministrisë së Financave dhe Ekonomisë.

Vendimi i plotë:

Ekzekutimin e vendimit të gjykatës evropiane për të drejtat e njeriut, datë 9.12.2021, për çështjen “Fotaq Zaharia kundër Shqipërisë” (kërkesa nr.45022/16)

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të nenit 46 të Konventës Evropiane për Mbrojtjen e të Drejtave të Njeriut dhe Lirive Themelore, ratifikuar me ligjin nr.8137, datë 31.7.1996, “Për ratifikimin e Konventës Evropiane për Mbrojtjen e të Drejtave të Njeriut dhe Lirive Themelore”, të neneve 5 e 45, të ligjit nr.9936, datë 26.6.2008, “Për menaxhimin e sistemit buxhetor në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar, dhe të nenit 14, të ligjit nr.115/2021, “Për buxhetin e vitit 2022”, të ndryshuar, me propozimin Zëvendëskryeministrit, Këshilli i Ministrave

VENDOSI:

1. Ekzekutimin e vendimit të Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut, datë 9.12.2021, për çështjen “Fotaq Zaharia kundër Shqipërisë”, kërkesa nr.45022/16, përfundimtar, në datën 9.12.2021, në shumën 13 000 (trembëdhjetë mijë) euro, për mbulimin e dëmit pasuror dhe jopasuror dhe 2000 (dy mijë) euro, në lidhje me kostot dhe shpenzimet, plus çdo taksë që mund të jetë e aplikueshme.

2. Vlera e përcaktuar si detyrim në pikën 1, të këtij vendimi, të konvertohet në lekë, në bazë të kursit të këmbimit të bankës ku depozitohen shumat, në datën e kryerjes së pagesës.

3. Vlera e përcaktuar si detyrim, në pikën 1, të këtij vendimi të depozitohet në një nga bankat e nivelit të dytë, në emër të kërkuesit Fotaq Zaharia, në vlerën që shteti shqiptar detyrohet, sipas vendimit përfundimtar të Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut, datë 9.12.2021.

4. Pagimi i shumës së depozituar, sipas përcaktimeve në pikën 3, të këtij vendimi, në favor të kërkuesit Fotaq Zaharia, të bëhet nga Ministria e Financave dhe Ekonomisë, pas paraqitjes së dokumentacionit të nevojshëm ligjor për kryerjen e pagesave nga buxheti i shtetit, brenda afatit 3-mujor nga dita, kur vendimi i Gjykatës është bërë përfundimtar.

5. Në rast mospagimi brenda afatit tremujor, të përmendur në pikën 4, të këtij vendimi, mbi shumën e mësipërme, paguhen interesa të thjeshta, të barabarta me kursin margjinal të huas së Bankës Qendrore Evropiane, gjatë periudhës së mospagimit, plus 3%.

6. Efektet financiare, të parashikuara për ekzekutimin e këtij vendimi, të përballohen nga fondi rezervë i buxhetit të shtetit për vitin 2022.

7. Ngarkohet Ministria e Financave dhe e Ekonomisë për zbatimin e këtij vendimi.

Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”.