Programi i Shqipërisë në OKB/ Ferit Hoxha: Shqipëria do të mbrojë gratë, paqen dhe sigurinë

Ambasadori i Shqipërisë në OKB, Ferit Hoxha ka mbajtur fjalën e tij në konferencën e parë pas marrjes së Presidencës së Këshillit të Sigurimit për muajin qershor. Ai ka prezantuar planin e punës, teksa mbrotja e grave është në krye të agjendës.

Në konferencën e parë pasi Shqipëria ka marrë Presidencën e Këshillit të Sigurimit të OKB-së, përfaqësuesi i përhershëm i Shqipërisë Ferit Hoxha prezantoi pasditen e së mërkurës programin e punës, ku në krye të agjendës është paqja dhe siguria e grave.

“Në përputhje me prioritetet tona dhe si nënshkruese e Deklaratës së Angazhimeve të Përbashkëta me Anëtarët e tjerë të Këshillit, Shqipëria do të mbrojë gratë, paqen dhe sigurinë dhe do ta bëjë atë një prioritet kyç gjatë Presidencës sonë të KS, konferencë e cila do të mbahet më 15 qershor.”

Me rëndësi në këtë drejtim do të jetë, sipas Hoxhës, Forcimi i Llogaridhënies dhe Drejtësisë për Shkeljet e Rënda të së Drejtës Ndërkombëtare, konferencë me prezencë të vetë kryeministrit Rama.

“Presidenca Shqiptare nis me një Debat të Hapur të nivelit të lartë mbi “Forcimin e Llogaridhënies dhe Drejtësisë për Shkeljet e Rënda të së Drejtës Ndërkombëtare”. Debati i Hapur do të zhvillohet nesër, i cili do të drejtohet nga kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama. Prania në këtë nivel tregon se sa e rëndësishme është kjo temë për Shqipërinë dhe shpresojmë edhe për të gjithë anëtarët e tjerë.”- tha ai.

Për shkak të situatës së trazuar në Ukrainë, Hoxha bëri me dije se kjo çështje është shumë e rëndësishme në agjendë, teksa angazhon bashkëpunimin mes OKB-së dhe BE.