Ja shenjat se si të dalloni që një fëmijë po bullizohet
Sociologu Gëzim Tushi është shprehur se bullizmi është një fenomen shumë i zgjeruar në vendin tonë, si tek fëmijët por edhe te të rriturit.
Në një intervistë për Ora News, Tushi është shprehur se bullizmi është bërë shkak për shumë fatkeqësi.
Gëzim Tushi: Bullizmi, ngacmimi i fëmijëve me njëri-tjetrin është bërë një dukuri shumë e zgjeruar, ngacmim për shkak të ngjyrës së lëkurës, për shkak të defekteve të lindura, për shkak ë fuqisë fizike, dhe shfaqen të gjitha format e ngacmimit verbal, seksual. Këto forma të bullizmit janë shumë të rrezikshme, pasi kemi parë herë pas here që na kanë ndodhur fatkeqësi shumë të mëdha. Kemi parë fëmijë të bullizuar që nuk e kanë gjetur dot rrugën e duhur e më pas kanë bërë veprime të gabuar, duke bërë gjëra të llahtarshme ndaj vetes së tyre. Kemi bullizëm në vendet e punës me të rriturit, kjo duhet vlerësuar seriozisht. Ngacmimet në rrjetet sociale janë shumë të mëdha, dhe pikërisht këtu duhet një lloj vigjilence, e prindërve për t’i parë fëmijët.
Tushi ka treguar dhe shenjat të cilat mund të dallosh që një fëmijë është i bullizuar, ndërsa theksoi se prindërit duhet të jenë vigjilent dhe të reagojnë në mënyrë të menjëhershme.
Gëzim Tushi: Fëmijët e bullizuar, që rrezikohen nga ngacmimet shfaqin shenja. Veprimet duhet të jenë të zgjuara, që të kuptojnë një fëmijë që mbyllet në vetvete, që ka qejf të rri në dhomën e tij, që qan, që nuk ka oreks, që është i mërzitur, që nuk do të shkojë në shkollë. Këto janë shenja që tregojnë që fëmija është i bullizuar, dhe kjo do të thotë se duhet të ketë veprim të menjëhershëm nga prindërit në raport me shkollën.
Intervistoi Siklajda Shorja, përgatiti Anila Kolgjini.
