Tushi: Guackat e vjetra të prindërimit, pengesë për fëmijët sot. Familja shqiptare është demokratizuar 

Sociologu Gëzim Tushi, është shprehur se shkolla mbetet institucioni i formimit të edukimit të nxënëseve.

Në një intervistë për Ora News, Tushi është shprehur kritik duke thënë se shkollat po tregohen të njëanshme përsa u përket fenomeneve që konsiderohen të dorës së dytë.

Gëzim Tushi: Shkolla mbetet institucioni më i mirë i formimit dhe i edukimit të nxënësve. Shkollat shqiptare kanë pësuar progres, kanë përmirësuar metodat e mësimëdhënies, por ndihet një lloj anshmërie e shkollës në raport me fëmijët. Shkolla të mëson rrugën se si të kulturohesh. Por shkolla ka filluar të ndihet dorëjashtë, përsa i përket fenomeneve që ata i konsiderojnë të dorës së dytë ose për shkak të konceptit të pin pongut.

Ai tha se rol të rëndësishëm tek fëmija luan edhe prindi. Sipas Tushit shumë prindër janë ende me konceptet e vjetra, që kërkojnë që fëmijët t’u binden me çdo kusht, gjë e cila sjellë përplasje mes prindërve dhe fëmijëve.

Gëzim Tushi: Gjëja kryesore ka të bëjë me familjen. Shumë nga prindërit vazhdojnë të jenë rob të koncepteve të vjetra patriarkale, pra kërkojnë që fëmijët të binden me çdo kusht, urdhrave të tyre, kërkesave të tyre, gjë që është e pamundur në kohën e sotshme, gjë e cila e sjellë më pas  përplasje mes prindërve dhe fëmijëve. Guackat e vjetra të prindërimit është një nga pengesat. Prindërit e sotshëm, duhet të kuptojnë se familja shqiptare është demokratizuar. Nuk është më familja e dikurshme. Rolet dhe përgjegjësit mes prindërve dhe fëmijëve kanë ndryshuar.

I pyetur se me kë është më mirë të rriten fëmijët, në kopshte apo çerdhe apo me prindërit e gjyshërit, Tushi u shpreh:

Historia e kohës moderne po tregon se ky edukim i mbyllur në familje apo kujdestarëve që caktohen për ta është një praktikë konservatore që nuk jep rezultate. Familja shkolla, dh institucionet e tjera kanë rolet dhe përgjegjësitë e veta.

Intervistoi Siklajda Shorja, përgatiti Anila Kolgjini.