Danimarka planifikon referendum për politikat me BE-në, Rusia i pret gazin natyror
Danimarka e cila tradicionalisht ka qenë euroskeptike voton të mërkurën në një referendum i cili do t’i jepte Kopenhagës përbashkimin e politikave të mbrojtjes së Bashkimit Evropian.
Referendumi mbahet për të shprehur reflektimin në lidhje me agresionin rus në Ukrainë.
Por përpara mbajtjes së referendumit, Rusia ka zgjedhur të mërkurën për t’i ndërprerë vendit furnizimin me gaz natyror të lëngshëm pasi Danimarka refuzoi të paguante në monedhën ruse të rublas.
Rusia e ka bërë të udhës në javët e fundit që të ndërmarrë anti-sanksione kundër të ashtuquajturave vendeve jomiqësore të cilat zgjedhin rrugën evropiane apo transatlantike, si dhe të atyre që kanë përdorur një retorikë të fortë anti ruse lidhur me pushtimin në Ukrainë, siç ishte ndërprerja e furnizimit me gaz rus ndaj Polonisë dhe Bullgarisë.
Pasi Finlanda vendosi që të aplikojë zyrtarisht për anëtarësim në NATO, kompania shtetërore energjetike ruse Gazprom nxitoi që t’i ndërpriste Helsinkit furnizimin me gaz, si një masë gjoja reciprociteti pasi Moska e kundërshton fort integrimin e vendit në Aleancë.
E duket se Moska ka zgjedhur të njëjtën strategji edhe në lidhje me Kopenhagën, e cila i drejtohet referendumit.
Sa i përket shprehjes së vullnetit me votë, më shumë se 65 % e danezëve pritet të votojnë në favor të hapjes së rrugës së përbashkimit të strategjisë mbrojtëse me ato të BE-së.
Danimarka ka qenë anëtare e unionit që prej 1973-shit, por ajo u kufizua të transferonte më shumë pushtet në Bruksel në vitin 1992, kur 50,7% e danezëve refuzuan traktatin themelues të BE-së.
Që atëherë, Danimarka ka mbetur jashtë monedhës së euros, të cilën e refuzoi përmes një referendumi në vitin 2000, si edhe për politikat e përbashkëta të bllokut për drejtësi, punë të brendshme dhe mbrojtje.
